Kosovarët e Zvicrës: Tash kthehemi ne në atdhe

Mediat zvicerane i kushtojnë vëmendje shqiptarëve të suksesshëm, të cilët janë kthyer në Kosovë për hapur biznese.

Pamje nga Prishtina.



Statistikat janë të zbehta: më shumë se gjysma e kosovarëve të moshës 14 deri 29-vjeçare duan t’ia kthejnë shpinën atdheut të tyre. Ata kanë një cak që e përmendin më së shpeshti: Zvicra. Por ka edhe të tjerë, të cilët braktisin vendin pas shkollimit në Zvicër dhe kthehen në atdhe për të hapur biznese, shkruan gazeta «20 Minuten»

Patriotizmi luan një rol në vendimin për kthim. Por duket se edhe më të rëndësishme janë virtytet zvicerane, me të cilat janë mishëruar shumë kosovarë. «Në Zvicër kam përvetësuar të menduarit analitik dhe pavarësinë – këtu s’mund të më afrohet konkurrenca lokale», thotë Drenusha Shala, e cila ka hapur një ndërmarrje për hulumtimin e tregut. Ajo thotë se «është privilegj dhe përparësi e amdhe të kesh kaluar fëmijërinë dhe rininë në Zvicër». Edhe kosovarë të tjerë kanë marrë guximin dhe janë kthyer.

Arta Rrustemi, 24-vjeçare, është njëra prej tyre. Kur para tri vitesh ajo kishte vendosur të kthehet, kishte njerëz që i thoshin se nuk ishte në vete. Askush, sipas saj, nuk e kuptonte se si mund të linte luksin zvicerane dhe sidomos sigurinë. Si menaxhere për performansë Rrustemi punon për firmën Baruti, të themeluar nga Drenusha Shala. Njëkohësisht Arta Rrustemi bashkë me vëllain e saj Viktorin merren me bujqësi. «Kultivojmë pemë sipas modelit zviceran», thotë ajo. Falë veglave moderne të punës, planit të menduar mirë të biznesit dhe kujdesit ekologjik puna ecën mirë: «Madje tani jemi edhe shembull për të tjerët», thotë Rrustemi.

Drenusha Shala, 27-vjeçare, ka jetuar 20 vite në kantonin e Zürichut. Dikur vajzë refugjate ajo në vitin 2011 vendosi të kthehet në Prishtinë. Sot ajo drejton një ndërmarrje me 270 punëtorë me një qarkullim vjetor prej dy milionë franga. Modeli i biznesit është ky: firma Baruti GmbH merret me hulumtim të tregut për firma nga hapësira gjermanofolëse, drejton shërbimet e tyre për klientë ose ofron ndihmë në mbajtjen e kontabilitetit. Shala thotë kërkohej guxim për t’u kthyer. «Babai im kishte frikë se do të humb shansin në Zvicër». Sot ai është krenar me të.

Shembulli i tretë: Marjan Ramaj, 51-vjeçar, është specializuar në Luzern në shtrirjen e kabllove të elektricitetit. Kur ishte kthyer në Kosovë me idenë që telat e rrymës të futen në zorrë, atë e kishin përqeshur, siç bën të ditur revista «Annabelle». Ndërkohë kërkesat për instalime të tilla janë shtuar – dhe ndërmarrja e Marjan Ramajt punëson 53 punëtorë. (-lli)