Kosovarët e Zvicrës: ata që ndërtojnë ura mes dy vendeve

Në Zvicër jetojnë 175 mijë njerëz me origjinë kosovare. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve - dhe perceptimi i tyre ka ndryshuar dukshëm, shkruan gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».

Foto: Shutterstock



Kur në Kuvendin e Kosovës u shpall pavarësia më 17 shkurt 2008, në sheshin Helvetia në Zürich shpërthyen brohoritje. Mijëra njerëz u mblodhën, valëvitën flamujt me shqiponjën dykrenare dhe bllokuan komunikacionin. Edhe në qytete të tjera zvicerane konvojet bllokuan rrugët. Dhjetë ditë më vonë qeveria zvicerane pranoi pavarësinë e Kosovës, shkruan shkruan gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) në një tekst mbi komunitetin shqiptar në Zvicër.

Edhe sot, sipas gazetës, 175 mijë njerëz me prejardhje nga Kosova, të cilët jetojnë në Zvicër, luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Këto raport, thotë ambasadorja e Kosovës në Bernë, nazane Breca, janë të shkëlqyeshme – edhe falë diasporës. Prej se ka marrë postin e ambasadores shtatorin e kaluar, ajo është takuar me shkrimtarë kosovaro-zviceranë, sportistë dhe përfaqësues të diasporës.

Sipas ministrisë së Jashtme të Zvicrës paratë që dërgon diaspora në Kosovë edhe sot kanë rëndësi për ekonominë e atjeshme. Në vitin 2014 Zvicra ishte investitori i tretë në Kosovë. Por shkëmbimi tregtar mbetet i modest. Qeveria zvicerane në tri vitet e fundit ka buxhetuar 85 milionë franga për zhvillimin e Kosovës. Në Kosovë ende janë të stacionuara trupat zvicerane. Një zëdhënëse e Swissint, komandës së frocave të armatosuara të angazhuara në misione paqeruajtëse, i ka deklaruar NZZ se gjithnjë e më shumë kosovarë po marrin vendim të shërbejnë në ushtrinë e Zvicrës në Kosovë.

Ky shembull tregon se sa ka përparuar integrimi i kosovarëve. Kësisoj, thotë Hamit Zeqiri, kryetar i Konferencës Zvicerane të Qendrave për Integrim, ka ndryshuar edhe perceptimi i kosovarëve nga shoqëria zvicerane – larg imazhit të «azilantit» dhe «rastit social» dhe drejt bashkëqytetarit të integruarm, që ndihet pjesë e Zvicrës dhe është i zellshëm në punë. Yjet kosovaro-zviceranë si Xherdan Shaqiri kanë dhënë kontribut në ndryshimin e imazhit, thotë Zeqiri, por ai s’është aq në disponim festiv: «Në Kosovë ka ende shumë punë për të bërë». (-lli)