«Kosovarët duan të identifikohen me Zvicrën»

Me vite të tëra revista djathtiste zvicerane «Weltwoche» i ka përshkruar shqiptarët në Zvicër si tipa problematikë, si plaçkitës të sigurimeve sociale, si të dhunshëm dhe jolojalë ndaj shtetit zviceran. Fatkeqësisht ka edhe të tillë. Por, në numrin e fundit kjo revistë, për herë të parë pas shumë vitesh, boton një artikull afrimativ për shqiptarët dhe të bazuar në fakte. Një arsye për t’u gëzuar? Jo menjëherë.




Ka kaluar mbi një dekadë prej se revista «Weltwoche» botoi një artikull mbi gjakmarrjen në Shqipëri. Storje të tilla përsëriten shpesh në media të caktuara perëndimore dhe sugjerojnë – pa shihni, pa shihni: në cepin e Europës ende vazhdojnë të praktikohen zakone e tradita mesjetare. Gjakmarrja pa dyshim është diçka e tillë. Por, mënyra se si «Weltwoche» e kishte prezantuar artikullin ishte skandaloze: në ballinë shihej një shqiptar nga rrethina e Shkodrës me armë në dorë dhe nën të titulli: «Die Albaner» – «Shqiptarët». Mesazhi ishte i qartë: të tillë janë shqiptarët – agresivë, të armatosur, të dhunshëm, me një fjalë ende larg civilizimit perëndimor.

Hedhja e të gjithë shqiptarëve në një kosh, një metodë e praktikuar shpesh nga mediet bulevardeske në Zvicër, përmes «Weltwoche» arriti edhe në mediet e ashtuquajtura «të etabluara». Sado i palejueshëm të jetë toni paushalizues në disa media zvicerane kundër shqiptarëve, e vërteta është se disa pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër kanë dhënë shembuj të tmerrshëm për njollosjen e mbarë komunitetit. Kushdo që e përmend emrin Bashkim Berisha në këtë vend menjëherë dihet se për kë bëhet fjalë: për boksierin e disiplinës «thai» nga qyteti industrial Winterthur afër Zürich-ut. Berisha u bë kampion i botës në këtë sport, rrahu një polic në Winterthur në vitin 1999 dhe një regjisor zviceran xhiroi një film për të me titullin: «Bashkim – goditje pas goditjeje». Filmi përshkruan rrugën e vështirë të Berishës drejt kontrollimit të agresionit që vlonte përherë brenda tij. Filmi dokumentar ishte një përpjekje e lavdërueshme për të treguar se çdo njeri e meriton një shans – qoftë ai edhe Bashkim Berisha. Por, nuk ishte e thënë që Berisha të kthehet në jetën normale. Në fillim të vitit 2005 ai vrau një shqiptar. Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një restoranti me muzikë shqiptare në Dübendorf, një lokalitet afër Zürich-ut. Pas krimit Berisha iku në Kosovë, u arrestua – me armë në veturë – nga policia e UNMIK-ut dhe u ekstradua në Zvicër. Këtu u dënua me 14 vjet burg dhe pasi vuajti dy të tretat e dënimit u dëbua në Kosovë. Por, janë vëllezërit e tij që kanë mbetur këtu dhe që e furnizojnë shtypin zviceran me lajme: shumica e vëllezërve Berisha kanë rënë në konflikt me ligjin për delikte të ndryshyme – tentim vrasjeje, kërcënim, tregti me drogë. Pas gjithë këtyre delikteve në Zvicër nuk është përparësi të kesh mbiemrin Berisha. Por, as Musaj. Vëllezërit Musaj nga Strellci i Deçanit në vitet 90-të kanë bërë kërdi në Zvicër me krime të llojllojshme, ku mes tjerash shquheshin plaçkitjet gjatë natës të vilave të shtrenjta – me ç’rast plakat dhe pleqtë keqtrajtoheshin brutalisht dhe vdisnin në rrethana trishtuese. Së fundi në mediet zvicerane është përshkruar karriera kriminale e Jeton G. nga Gjilani, i cili po ashtu ishte i njohur si njëfarë boksieri në Zürich. Ai ka vrarë nje malazez, po ashtu koleg i tij në sportet luftarake dhe i njohur në skenën e «rojtarëve të derës» nëpër diskoteka dhe lokale të tjera nate në Zürich e rrethinë. Përtej krimit Jeton G. është shquar si dembel, si person që refuzon të punojë dhe jetën e famlijes së tij e financon(te) nga ndihmat sociale. Vetëm për qiranë e banesës së tij autoritetet komunale kanë paguar rreth dy mijë franga. Rastet e tilla janë helm për imazhin e shqiptarëve. Por, kur këto raste përmenden pandërprerë në media, atëherë harrohen ose zhduken nga fokusi shumica e shqiptarëve në Zvicër, të cilët bëjnë jetë aq normale, saqë nuk bien në sy. Dhe pjesë e normalitetit zviceran janë shumica e rreth 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Këtë fakt duket se e ka zbuluar, më në fund, edhe «Weltwoche». Në numrin e fundit kjo revistë, e cila herë pas here edhe mund të ketë pasur të drejtë në kritikën ndaj të huajve (edhe shqiptarëve), ka botuar për herë të parë pas shumë vitesh një tekst afirmativ për komunitetin shqiptar.

Në përshkrimin e shqiptarëve i pashmangshëm në çdo artikull gazetaresk është futbolli, fundja grupi i shqiptarëve në kombëtaren zvicerane është i madh. Shaqiri, Xhaka, Memedi, Behrami nuk janë vetëm emra të njohur në botën shqiptare, por edhe në çdo amvisëri zvicerane. Rrjedhimisht, edhe artikulli i «Weltwoche» fillon me futboll dhe me kryetarin e klubit futbollistik Kreuzlingen, i cili e lavdëron ekipin e futbollit FC Kosova jo vetëm si ekip më i mirë në ligën rajonale, por edhe për fansat ka fjalë të zgjedhura: «ejet paqësor» dhe «nikoqir vërtet të mirë». Natyrisht që as fusha e futbollit nuk është idilë e integrimit. Shpeshherë ka keqkuptime. Në mediet zvicerane në të kaluarën kanë bërë bujë «gjestet patriotike» të disa futbollistëve si Xhaka e Kasami – për shembull akrobacioni me gishta në formë të shqiponjës, simbolit kombëtar të shqiptarëve. Këtë gjest disa zviceranë e kanë interpretuar si mungesë lojaliteti ndaj shtetit për të cilin futbollistët luajnë. Disa të tjerë kritikojnë faktin se futbollistët shqiptarë vrapojnë pas topit dhe duan të fitojë Zvicra, por refuzojnë të këndojnë himnin e saj. Së fundi u bë bujë dhe zhurmë rreth disa rekrutëve naivë të ushtrisë zvicerane, të gjithë me origjinë shqiptare, të cilët derisa po udhëtonin me tren kishin bërë një fotografi me flamurin kombëtar shqiptar. Kundër tyre po zhvillohen hetime, por gazeta «Basler Zeitung» në një shkrim të botuar së fundi me të drejtë nënvizoi një fakt: rekrutët e ushtrisë zvicerane me prejardhje të huaj janë më të mirë në krahasim me të rinjtë zviceranë që mezi presin të gjejnë një arsye, shpesh shëndetësore, për t’i ikur shërbimit në ushtri. Te ballkanasit duket se ende është trend t’i shërbesh atdheut me armë – qoftë ky edhe një atdhe ambivalent si Zvicra.

«Weltwoche» ka biseduar me disa shqiptarë dhe çfarë thonë ata është dëshmi e një zhgënjimi mbi mënyrën se si mediet në Zvicër raportojnë për të huajt në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti. «Të gjithë flasin për neve, por askush nuk flet me neve», ankohet Kadri Ismajli, i cili mban një radio interneti në Zvicër. Dhe faktet, të cilat i citon edhe «Weltwoche», tregojnë se, sipas statistikave konfederale, imazhi i shqiptarëve nuk përputhet me realitetin. Në vitin 2013 kosovarët ndodheshin në vendin e shtatë sa i përket veprave penale në Zvicër – «pas vendeve serioze si Italia, Portugalia, Gjermania dhe Franca». Sa i përket delikteve të drogës kosovarët gjenden madje në vedin e 12-të. Vetëm në keqpërdorimin e ligjit të azilit shqiptarët prijnë dhe kjo mund të shpjegohet lehtë: arsye për këtë është mjerimi në atdhe dhe ikja në Perëndim, sidomos gjatë muajve të fundit. Shumica e kosovarëve që jetojnë në Zvicër janë integruar mirë. «Kosovarët duan të identifikohen me Zvicrën», thotë konsulli i Republikës së Kosovës në Zürich, Islam Spahiu. Ai thekson se integrimi i të huajve në Zvicër si shtetas është i vështirë, por shqiptarët po integrohen më shpejt në Zvicër se në Gjermani falë angazhimit profesional.

Fotografinë me flamur shqiptar të rekrutëve shqiptarë Hamit Zeqiri, një ekspert për çështje të integrimit, e quan punë të «tejdramatizuar» nga ana e medieve, por ai njëkohësisht e quan aksionin «të pavend»: «Shumica e popujve janë të ndjeshëm në këto tema, me siguri edhe shqiptarët do të iritoheshin nëse persona me origjinë zvicerane me uniformë të ushtrisë shqiptare do të fotografoheshin me flamur zviceran».

Sidoqoftë, teksti i «Weltwoche» nuk është ndonjë arsye e madhe për t’u gëzuar komuniteti shqiptar në Zvicër. Pas çdo krimi apo keqpërdorimi që do të bëjnë shqiptarët, mediet do të shkruajnë – dhe sidomos «Weltwoche», ndoshta me ton pak më të ashpër. I mbetet komunitetit shqiptar të jetë më i organizuar që të gjykojë e denoncojë vetë çdo bashkëkombës që shkelë ligjet e vendit, që keqpërdorë sistemin social në një vend si Zvicra, ku, sipas një studimi të një universiteti amerikan, jetojnë njerëzit më të lumtur në botë. Nëse është kështu, atëherë e vërteta tjetër duhet të jetë: askund në rruzullin tokësor shqiptarët nuk jetojnë më mirë se në Zvicër.

* Autori është redaktor i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane «Tages Anzeiger» dhe kolumnist i «Kohës Ditore».