Kosovar, krenar…

Kur është fjala për futboll, në Kosovë mbretëron eufori, shkruan gazeta zvicerane «Basler Zeitung». Popullsia qëndron pas ekipit. Ose siç thotë futbollisti Fidan Aliti: «Në mediat sociale ti si lojtar i kombëtares e ndjen: fansat janë të gatshëm të japin jetën për ekipin».

Foto: Shutterstock



Paksa të habitur qenë lojtarët e kombëtares kosovare të futbollit kur gjatë grumbullimit të hënën në Prishtinë dëgjuan këto fjalë nga njerëzit e federatës së futbollit: «Sot do të shkojmë të gjithë së bashku në një festival muzike. Qëllimi është forcimi i ndjenjës së përbashkët». Njëri prej futbollistëve që u habit më së shumti ishte Fidan Aliti nga Baseli i Zvicrës, i cili dikur ka luajtur, mes tjerash, për BSC Old Boys dhe FC Luzern dhe sot ka kontratë me Slaven Belupo në ligën e parë kroate.

Edhe ai pyeti me habi: «Përse kjo tani?» Në të vërtetë lojtarët nga mbarë bota kanë ardhur në Kosovë për t’u bërë gati për lojën kualifikuese për Kampionatin Botëror, e cila do të zhvillohet të premten kundër Islandës (20:45). Përse atëherë muzikë? Kjo s’shkonte disi. Më vonë u pa se – befasi, befasi – organizatorët ishin tallur pak me lojtarët, sepse nuk kishte koncert, por vetëm një takim me disa qindra fansa. «Njerëzit brohorisnin, atmosfera ishte super», thotë Aliti.

Ky rrëfim i shkurtër i përshtatet situatës. Prej se vendi i vogël ballkanik, kjo republikë ende e re, në maj të vitit të kaluar është pranuar zyrtarisht në FIFA, te popullsia mbretëron një gjë: eufori. Kur disa muaj më vonë, më 5 shtator, loja e parë e obliguese në Finlandë mori fund me rezultat 1:1, në Kosovë mijëra njerëz dolën në rrugë për të festuar. Për disa orë u harruan problemet ekonomike dhe politike.

Kryetari i shtetit Hashim Thaçi atëbotë e uroi ekipin kombëtar me një stuhi patosi. «Gjenerata të lojtarëve ndihen krenarë pas aq shumë viteve të izolimit», shkroi ai në Twitter.

Një vend ishte i entuziazmuar. Një vend ishte krenar.

Kjo gjendje nuk ka ndryshuar ende – ndonëse Kosova i humbi qartë tri ndeshjet e fundit kundër Kroacisë, Ukrainës dhe Turqisë. «Kjo shkaktoi pak dëshpërim. Por duhet pasur parasysh se ne ende jemi në fillim», thotë Aliti.

Ky nuk është një konstatim i tepërt. Liga kosovare më së shumti ka një nivel të ligës rajonale zvicerane. Infrastruktura është e keqe. Ndeshjet duhet të zhvillohen në Shkodër të Shqipërisë, sepse stadiumet kosovare nuk i plotësojnë kushtet. «Po punohet në këtë drejtim», thotë Aliti. Edhe ekipi i ngjan një kantieri. Shpesh ka ndryshime. Lojtarë të rinj, të cilët kanë luajtur për ekipe të tjera kombëtare, vendosin të angazhohen për Kosovën. Fidan Aliti po ashtu e ka kaluar këtë rrugë. Ky 23-vjeçar më parë ka luajtur dy lojëra miqësore për Shqipërinë. Tani për të dytën herë është në ekipin e Kosovës dhe shpreson të debutojë.

Edhe në aspektin organizativ ka probleme. «Kjo është normale», thotë Aliti, «ende mungon përvoja». Por, sipas Alitit, në aspektin futbollistik kjo nuk ka ndikim, shumica e lojtarëve kanë kaluar një përgatitje të mirë dhe trajneri Albert Bunjaki (45), që nga viti 2009 trajner i kombëtares së Kosovës, ka përvojë të madhe.

Qëllimi i ekipit është i qartë: çdo pikë ka vlerë të madhe. Synimi është ngjitja e shpejtë në ranglistën botërore, në mënyrë që në të ardhmen Kosova të ketë një pozitë më të mirë starti. Popullsia qëndron pas ekipit. Ose siç thotë Aliti: «Në mediat sociale ti si lojtar i kombëtares e ndjen: fansat janë të gatshëm të japin jetën për ekipin».