Kosova synon të jetë në garë për Oscar me filmin «Babai»




Komiteti selektues ka zgjedhur filmin «Babai» si propozimi i Kosovës për Filmin më të mirë të huaj në Oscars.

 

Komiteti i aprovuar nga Akademia Oscars i përbërë nga Arben Bajraktaraj, kryesues, Blerta Zeqiri, Ilire Vinca, Zymber Kelmendi, Sevdije Kastrati, Shkumbin Istrefi dhe Alban Muja ka theksuar se ky film është vlerësuar përshkak të çasjes domethënëse regjisoriale, identitetit estetik, mishërimit të personazheve nga aktorët dhe trajtimi shumë autentik të tregimit.

«Babai» filmi debutues me skenar dhe regji nga Visar Morina i cili pati shumë suksese në Film Fest Munchen dhe në Karlovy Vary po vazhdon shfaqjen e tij nëpër festivale të ndryshme.

Filmi është koproduksin midis Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe Maqedonisë me producent Visar Krusha, Nicole Gerhard, Xenia Margot dhe Tomi Salkovski.

«Babai» e shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të.

Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Ky është viti i dytë që Kosova ka fituar të drejtën të aplikoj me film për konsiderim në Oscars dhe së fundmi ‘Babai’ është edhe në garë për selektim në European Film Awards 2015.

Vitin e kaluar propozimi i Kosovës për Oscars ka qenë filmi ‘Tri Dritare dhe një Varje’ me regji nga Isa Qosja.