Kosova sipas «Nova Europa»

Pesë rrëfime transballkanike: ekipi për ndarjen e Kosovës dhe «Nova Europa», flamuri i Kosovës në vitin 2088, ëmbëlsira me molla të kalbura nga Vjena, një gjerman i shekullit ’19 për shtetin e këshilltarëve (lexo: zëvendësministrave) dhe bullgari Baj Gano duke shitur parfum trëndafili në Europë.

Foto: Shutterstock



1.
Interesant kjo përbërja e ekipit ndërkombëtar që po angazhohet për ndarjen e Kosovës:
– Një ish-diplomat austriak i punësuar në një zyrë avokature, e cila klient e ka edhe qeverinë serbe.
– Një ish-diplomat britanik, që ka drejtuar zyrën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Banjallukë, «kryeqytetin» e serbëve të Bosnjës, dhe tani është shef i njëfarë kompanie për konsulenca që mban emrin Nova Europa.
– Dhe disa të ashtuquajtur ekspertë të Ballkanit që tërë jeta u ka shkuar duke vrapuar nga projekti në projekt, nga një grup i krizave në grupin tjetër, nga organizata joqeveritare në organizatën joqeveritare – pa lënë askund një gjurmë serioze. Një ndër argumentet më kriminale që po dëgjohet e lexohet nga këto struktura është se Serbisë duhet t’i jepet një copë e mirë e Kosovës «për ta ruajtur fytyrën». Kjo është një përpjekje për të rrotulluar historinë: nuk kërkohet më që Serbia të kërkojë falje për krimet masive të luftës të kryera në Kosovës, nuk kërkohet që Beogradi të paguajë për dëmet e luftës. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të përfaqësimit katastrofal të Kosovës viteve të fundit. Kështu xhelati është barazuar me viktimën (për shkak se disa përfaqësues të popullit viktimë që dyshohet se kanë kryer krime, për të shpëtuar fundshpinën e vet janë të gatshëm t’i falin edhe kriminelët serbë).

2.
Me gjasë sërish do të hapet konkurs për flamurin e Kosovës. Një gjysmë shtet do të ketë një gjysmë flamur dhe autor mund të jetë ndonjë gjysmë artist. Të qetë pastaj mund të presim vitin 2088, kur (ndoshta) do të hapen arkivat dhe ata që janë gjallë atëherë do të shohin se si dy presidentë në një ditë marsi të vitit 2018 me marrëveshje realizuan shoun e arrestimit të një zyrtari të quajtur Marko Gjuriq. Sipas pajtimit paraprak njëri president urdhëroi policinë e Kosovës të luajë një shou, ndërsa presidenti tjetër u tha serbëve lokalë të mos përdorin armët dhe të shikojnë nga distanca arrestimin e Gjuriqit. Në përvjetorin e shtatëdhjetë të arrestimit të Marko Gjuriqit, më 26 mars 2088, nipi i tij Dushan Gjuriq, do të padisë shtetin e Serbisë për shkak se me inskenimin e arrestimit gjyshit të tij i janë shkaktuar dhimbje shpirtërore dhe jo vetëm. Zarfin me padi nipi i Gjuriqit do ta dorëzojë në gjykatë bashkë me flamurin me yje të Kosovës, i cili u përdor vetëm 10 vjet, pastaj, siç dihet, Kosova u nda dhe të gjithë qenë të lumtur.

3.
Mos u befasoni që austriakët po i prijnë valles për ndarjen e Kosovës. Janë shumë të shkathtë. Vetëm austriakët kanë arritur ta bindin botën se Hitleri është gjerman dhe Beethoveni austriak. Vetëm austriakët kanë arritur ta bindin botën se specialitetet si «Apfelstrudel» dhe «Topfenpalatschinken» i kanë shpikur – austriakët. Në të vërtetë edhe ëmbëlsira me molla, dhe pallaçinkat e famshme janë shpikje çeke. Vetëm një ministre austriake arrin që ta bind Vladimir Putinin t’i vijë në dasmë. Dhe rënien në gjunjë para autokratit rus ta prezantojë si kontribut për paqe në Europë. Vetëm Austria mund të ketë një kancelar që thotë se e shpëtoi Europën nga refugjatët, të cilët i pret krahëhapur fizikania gjermane Angela Merkel. E vërteta është se valën e refugjatëve e ka ndalur një turk me mustaqe në Ankara. Ndërsa kancelari austriak ka shkuar në Shkup për të përkrahur në fushatë elektorale demokratin më të madh të Ballkanit, Nikolla Gruevskin, me të cilin ka shëtitur edhe nëpër Shkupin antik, natyrisht me Mercedesin e Gruevskit në vlerë prej 600 mijë euro.

4.
«Kush janë ata që e kanë bërë këtë rend dhe që mbikëqyrin ruajtjen e tij? Kjo është qeveria e dukatit të madh. Qeveria përbëhet nga duka i madh dhe nëpunësit e tij të lartë. Nëpunësit e tjerë janë njerëz që i thërret qeveria për të mbajtur rendin në fuqi. Numri i tyre është një legjion i vërtetë: këshilltarë shteti e këshilltarë qeverie, këshilltarë landi e këshilltarë qarku, këshilltarë kishtarë e këshilltarë shkollash, këshilltarë financash e këshilltarë pyjesh etj. me gjithë ushtrinë e tyre të sekretarëve etj. Populli është kopeja e tyre, kurse ata janë barinjtë, mjelësit dhe gjakpirësit e tij. Atyre ua jepni ju gjashtë milionë guldena detyrime; për to ata duhet të bëjnë mundimin që t’ju qeverisin ju, domethënë të ushqehen prej jush e t’ju grabisin juve të drejtat tuaja njerëzore e qytetare. Ja pra se cilat janë frytet e djersës suaj». (Georg Büchner, Mesagjeri i landit i Hesenit: Një kushtrim për liri)

5.
Baj Ganua shëtit nëpër Europë
(Nga romani Baj Gano i Aleko Konstantinov, botoi Rilindja, 1975)

E ndihmuan baj Ganon të hiqte nga shpatullat e tij gunën turke dhe ky veshi një pardesy belgjiane. Atëherë të gjithë thanë se baj Ganua qe bërë një evropian i vërtetë.
— Pa hajde e të tregojmë cilido nga ne diçka për baj Ganon.
— Hajde — thirrën që të gjithë.
— Do të kallxoj unë i pari.
— Prit, unë di më shumë nga ti.
— Jo, ti s’di gjë fare.
U bë zhurmë. Më në fund të gjithë pranuan të fillonte Stati. Dhe ai sa filloi.

***

Arritëm në Vienë dhe qëndruam në hotelin tradicional «London». Shërbyesit morën nga karroca valixhen time dhe deshën të merrnin dhe hejbet e baj Ganos, po ai, për delikatesë a kushedi sepse nuk ua dha.
— Po si t’ua japësh, ore vëlla, i thonë vaj trëndafili e jo shaka, parfum i fortë; fut njëri dorën e ta rrëmben, pa shko dhe e gjej në qofsh i zoti. Rri ti, se i njoh unë këta. Ti mos i shiko që janë kështu të lyer, (Baj Ganua desh të thoshte të kulturuar, po kjo fjalë është akoma e re për fjalorin tonë, harrohet) mos i shiko që të vijnë rreth e rrotull. E pse të mblidhen përreth? Mos të duan vallë të mirën? Ajnc, cvaj! Gut morgen, e nga ana tjetër e kanë mëndjen ku të të rjepin. Në mos gjë tjetër, po dobare të shtien në dorë ndonjë bakshish. E pse ruhem unë e ia mbath nga hoteli ngadalë e pa zhurmë? Lypës të djallit! Këtij krajcer, atij krajcer, s’ka anë e fund.
Me që vaji i trëndafilit, që kishte sjellë me vete baj Ganua, ishte vërtet i çmuar, unë e këshillova që ta dorëzonte për sigurim në arkën e hotelit.
— Në arkë, më thua — thirri ai me një zë që shprehte keqardhje për naivitetin tim. — Ama të çudiçëm jini ju njerëzit me shkollë. E po nga ta di unë ç’njerëz janë ata të arkës. Ja rrëmbeu vajin e trëndafilit tjetri, ja mbath gjëkundi e ty së fundi ç’të mbetet? Shko e gjej pastaj. Lëre arkën, po pa shikoje këtë brezin, e duke thënë kështu ai ngriti jelekun e tij të gjerë — gjithë këto shishe këtu do t’i fut. Do të më rëndojnë ca, thënke ti, po ama vetëm aty janë të siguruara.
E.R.