Kosova si lagje jostabile e Zvicrës

Përse duhet të qëndrojnë ende në Kosovë ushtarët zviceranë?

Trupa zvicerane në Kosovë.

Çfarë bën vaki nëse Zvicra tërheq kontingjentin e saj nga trupat e KFOR-it në Kosovë? Sipas të gjitha gjasave asgjë. Shumica e vendeve do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, madje së fundi britanikët, të larguar qëmoti, kthyen në Prishtinë nja 30 ushtarë. Një numër simbolik, por i rëndësishëm si sinjal politik. Këtë javë në Zvicër është zhvilluar një debat i gjerë nëse Swisscoy, siç quhet kompania zvicerane në kuadër të KFOR-it, duhet të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë. Në përputhje me kursin e saj izolacionist partia e djathtë populliste SVP prej vitesh kërkon tërheqjen e ushtarëve. Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën ndodhi diçka e pazakontë: ministri i Mbrojtjes, anëtar i SVP-së, ishte për vazhdimin e mandatit të trupave zvicerane në Kosovë, ndërsa ministri i Financave, po ashtu nga SVP, kërkoi tërheqjen nga Kosova hap pas hapi. Në fund u arrit një kompromis: Zvicra do të reduktojë trupat e saj në Kosovë tek nga viti 2018.

Por, shenjat janë të qarta: Zvicra më së largu pas tri vitesh mendon që misionin e saj ushtarak ta shndërrojë në mision paqësor civil.

Në shikim të parë gjendja në Kosovë është stabile. Trupat e NATO-s nuk duhet t’i ruajnë pakicat 24 orë si dikur – dhe përtej politikës së nivelit të lartë shumica shqiptare dhe pakica serbe jetojnë pranë njëri-tjetrit, pa terror të ndërsjellë. (Me përjashtim të veriut të Kosovës të dominuar nga serbët dhe praktikisht të kontrolluar nga Beogradi). Në vitin 1999 në Kosovë u stacionuan 50 mijë trupa të NATO-s për të siguruar paqen dhe mundësuar kthimin e gati një milion shqiptarëve të dëbuar nga forcat serbe. Kjo është arritur, por njëkohësisht – dhe pa fajin e KFOR-it – bashkësia ndërkombëtare me misionet e saj (UNMIK dhe EULEX) ka dështuar të ndërtojë një shtet funksional për shkak se ka bërë shumë kompromise me klasën politike të Kosovës, e cila kryesisht është e korruptuar dhe e aktive në nëntokën kriminale.

Në vitin 2016 Kosova do të duhej të kishte ushtrinë e vet, një rritje ekonomike modeste, por të vazhdueshme, liri të lëvizjes, investime serioze nga bota e jashtme. Asgjë nga këto nuk i ka Kosova, ndërkohë që Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin. Një pjesë e kriminelëve të dyshuar për grusht shteti në Mal të Zi (me gjasë me porosi të Rusisë) janë nisur nga veriu i Kosovës në drejtim të Podgoricës. Ky është një indikacion mbi rolin e shërbimeve sekrete ruse jo vetëm në veriun e Kosovës, por më gjerë në Ballkan. Në Beograd Kremlini është duke përkrahur urrejtjenxitësin antieuropian Tomislav Nikoliq, i cili në opinion njihet si kryetar i Serbisë dhe pjekës i rakisë. Në Bosnjë Vladimir Putini po mbështet tendencat e serbëve të atjeshëm për dobësimin e shtetit të përbashkët.

Në këto rrethana reduktimi i trupave zvicerane, sado modest të jetë roli i tyre në Kosovë, është sinjal i gabuar gjeopolitik. Ushtarët zviceranë çmohen nga shumica shqiptare edhe për shkak të lidhjeve historike mes Kosovës dhe Zvicrës. Te pakica serbe ushtarët zviceranë gëzojnë respekt për shkak se nuk vijnë nga një shtet anëtar i NATO-s, e cila nga një pjesë e serbëve ende shikohet me armiqësi për shkak të bombardimeve të vitit 1999.

Sipas Kushtetutës së Zvicrës ushtria, mes shumë detyrave të tjera, ka edhe angazhimin për paqe. Kosova është një lloj lagjeje jostabile e Zvicrës: nëse Kosova fundoset në kaos, presioni i migrimit do të rritet edhe ndaj Zvicrës, ku tashmë jetojnë gati dhjetë për qind e të gjithë kosovarëve.

Gjendja në Kosovë është stabile vetëm në shikim të parë. Në të vërtetë vendi është i polarizuar prej muajsh – mes një pushteti kryesisht të korruptuar dhe të paaftë dhe një opozite që pjesërisht nuk e ka të qartë se çfarë dëshiron të bëjë me këtë vend nëse një ditë merr pushtetin. Në të njëjtën kohë Beogradi po bën gjithçka për t’u bërë hisedar i sovranitetit mbi Kosovën. Pakica serbe po trimërohet të mos jetë lojale ndaj shtetit të Kosovës. Në muajt në vijim gjendja në Kosovë mund të tensionohet edhe më shumë kur një tribunal i posaçëm do të publikojë aktakuzat kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga këta persona sot mbajnë pozita të larta në shtet dhe në rast se akuzohen mund të tentojnë të mobilizojnë mbështetësit e tyre për të shkaktuar trazira. Në rast të tillë prania e trupave të NATO-s dhe, rrjedhimisht, edhe të Zvicrës do të jetë shumë e nevojshme.