Kosova prezanton në BE Raportin mbi dialogun me Serbinë në Bruksel

Prishtinë, 7 tetor – Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian Raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën mars 2015 – shtator 2015.




Në këtë Raport, të nënshkruar nga ministrja, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, paraqitet vlerësimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin dhe sfidat e procesit të Dialogut të Brukselit dhe zbatimit të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Në ketë raport periodik paraqitet gjendja në të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në Bruksel, ku veçohen përparimet, ngecjet dhe sfidat për tejkalimin e tyre.

Raporti analizon faktorët që kanë ndikuar në rezultatet, ku në mënyrë të veçantë potencohen shkeljet dhe vonesat që i ka bërë Serbia në këtë proces.
Marrëveshjet e arritura përfshijnë tema të tilla si: drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile, asociacioni, heqja e barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe policat e sigurimit të automjeteve. Gjithashtu, ka pasur dy marrëveshje plotësuese për energji dhe telekom me qëllim të riavancimit në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve përkatëse të vitit 2013. Tema e vetme dhe më e rëndësishme që ka mbetur për t’u pajtuar në këtë fazë të dytë të dialogut është largimi i strukturave paralele të Serbisë nga Kosova.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë për një progres të mirë në fusha të ndryshme të tilla si: drejtësia, shpërbërja e ‘mbrojtjes civile’, policat e sigurimit të automjeteve, ndërsa, në fushat e tjera duket se progresi është i kufizuar. Marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 për energjinë, kodin telefonik për Kosovën, asociacionin dhe heqjen e barrikadës, janë në fazën fillestare të zbatimit.

Procesi i zbatimit vazhdon të përballet me sfida dhe paradokse që pengojnë zbatimit efektiv dhe të plotë të marrëveshjeve. Me këtë rast dëshiroj të theksoj këtu paradoksin kryesor që vjen nga qasja e dyshimtë e Serbisë në këtë dialog. Kjo për shkak se, Serbia nga njëra anë punon për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa nga ana tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj ilegale paralele në Kosovë. Kjo qasje e dëmshme e Serbisë ka çuar në një situatë paradoksale ku të dy strukturat si ajo legale dhe ashtu edhe ajo ilegale komunale veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe më gjerë. Prandaj, Serbia paraqet veten para BE-së si palë që po respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa në terren ajo ende vazhdon ndërhyrjet në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka njoftuar BE-në për paradokset e lartpërmendura, ku me ç‘rast e ka qartësuar se krijimi i asociacionit nuk mund të ndodh para se Serbia të largoj plotësisht strukturat e saj ilegale në Kosovë. BE-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, prandaj Grupi Punues trepalësh do të mblidhet në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje. Puna rreth hartimit të statutit të asociacionit dhe asaj për largimin e strukturave paralele do të zhvillohet paralelisht.

Qeveria e Kosovës dëshiron të theksojë se zbatimi i marrëveshjeve është ajo që ka rëndësi për suksesin e plotë të këtij dialogu dhe ofron arsyetim për vazhdimin e saj.

Konsiderojmë se zbatimi i plotë dhe i vërtetë i marrëveshjeve të Brukselit, dhe pa standarde të dyfishta, mund të sjellë përparim real në këtë dialog. Besojmë se duhet të ruhet konsistenca dhe përpjekjet me qëllim që të arrihet më shumë progres në këtë proces të rëndësishëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e që ndihmon të dyja shtetet në rrugën e tyre drejt BE-së dhe përforcon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria e Kosovës ka demonstruar përkushtim të qartë dhe aktiv për dialogun e Brukselit dhe në zbatimin efektiv të marrëveshjeve. Republika e Kosovës ka bërë progres të konsiderueshëm dhe të matshëm në reformat evropiane dhe euro-atlantike. Prandaj, presim përparim të merituar konkret për Kosovën në procesin e integrimit në BE. Kosova pret nga BE-ja, sa më shpejt të jetë e mundur, të marrë vendimin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson lartë rolin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në lehtësimin e dialogut, si dhe, mbështetjen e plotë dhe aktive të SHBA-së në këtë dialog si dhe rritjen e vazhdueshme të mbështetjes që vjen nga Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së.

Raporti është publikuar në uebfaqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit nën linkun:

http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Kosovo_Report_on_state_of_play_in_Brussels_Dialogue_061015-signed.pdf