Kosova pranohet ndërkombëtarisht në sistemin e transmisionit të energjisë

Prishtinë, 2 tetor - Pas nënshkrimit të Marrëveshja për kyçje në mes të KOSTT, si Operator i Sistemit të Transmisionit (OST) të Republikës së Kosovës dhe ENTSO-së organizatë evropiane e përfaqësuar nga 30 OST të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, deklaroi për media me sa vijon.




Ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje ndërkombëtare mes KOSTT dhe ENTSO-së duke theksuar se me këtë marrëveshje Kosova ka fituar njohje ndërkombëtare në sistemin e transmisionit të energjisë dhe është bërë zonë e mëvetme rregulluese në veprimtarinë e saj të transmisionit të energjisë.

Me këtë marrëveshje Kosova ka arritur subjektivitet ndërkombëtar në fushën e transmisionit të energjisë dhe tash e tutje KOSTT do të jetë partner dhe zonë e mëvetme rregulluese në sistemin e rregullimit të transmisionit të energjisë në rajon.

Kjo arritje e madhe në fushën e energjisë është rezultat i Dialogut të Brukselit përkatësisht i marrëveshjes për Energjinë e arritur më 8 shtator 2013 dhe marrëveshjes së 25 gusht 2015, me të cilën u hoqën pengesat e Serbisë e cila kishte bllokuar Kosovën në këtë çështje, theksoi Tahiri.

Marrëveshja për energjinë e vitit 2013 kishte paraparë heqjen e pengesave të Serbisë ndaj avancimeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në fushën e energjisë. Mirëpo, Serbia për dy vite me radhë kishte bllokuar njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar në fushën e transmisionit pranë organizatës evropiane ENTSO-S.

Pas arritjes së marrëveshjes për zhbllokimin e kësaj pengese me 25 gusht 2015 në Bruksel, Serbia më në fund ka hequr pengesat politike dhe ka ndalur obstruksionet në këtë proces, theksoi ajo. Këto arritje janë në frymën e Traktatit të Komunitetit për Energjinë për Evropën Juglindore ku Kosova ka dëshmuar kapacitete shtetërore përmes KOSTT i cili ka avancuar punën e vet sipas standardeve evropiane.

Marrëveshja në fjalë vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës. Efektet pra janë politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe se KOSTT tash e tutje do të operojë si sistem i transmisionit të Kosovës sinkron me Sistemin Evropian të Transmetimit të energjisë elektrike.