Kosova po bëhet me një Çernobil të ri

Marrëveshje pa transparencë, por me tendencë të rrezikshme: termocentrali «Kosova C» nuk është investim për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Çdo qeveri serioze që vjen në pushtet duhet ta pezullojë këtë projekt.




Kosova me një qeveri të papërgjegjshme merr vendim për të ndërtuar një Çernobil të ri në Obiliq. Ky Termocentral («Kosova C») është i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve, marrëveshja për ndërtimin e tij është jotransparente, ndotja e ambientit do të jetë edhe më e madhe. Ekspertët parashikojnë edhe rritje të çmimit të rrymës. Bashkimi Europian nga çdo shtet që synon të anëtarësohet kërkon dekarbonizim të sektorit të energjisë. Kosova po bën të kundërtën, ndërsa vendet e tjera konkretizojnë planet që deri në vitin 2030 tërë energjinë ta marrin nga burimet e ripërtëritshme (siç janë rrezet e diellit, era, shiu, baticat dhe zbaticat, dallgët, dhe nxehtësia gjeotermale). Kuptohet se kjo vështirë do të arrihet, edhe pas vitit 2030 në Europë do të prodhohet energji nga qymyri, por tendenca është e qartë: larg duart nga qymyri në emër të mbrojtjes së ambientit, ruajtjes së natyrës dhe resurseve.

Rastësi apo jo: Serbia, e cila po ashtu një pjesë të madhe të energjisë e prodhon me qymyr, këto ditë njoftoi se ka marrë një kredi prej 80 milionë euro nga banka shtetërore gjermane KfW për të financuar një park të energjisë së erës. Pas ndërtimit parku i energjisë Kostolac do të ketë një kapacitet të instaluar prej 66 megavatë dhe brenda një viti do të prodhojë më shumë se 135 gigavatë rrymë. «KfW e mbështet Serbinë në rrugën e saj për shfrytëzimin e potencialit për energji nga era dhe në diversifikimin e prodhimit të rrymës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përftimit të energjisë në harmoni me mbrojtjen e ambientit dhe klimës», tha Joachim Nagel, anëtar i bordit të KfW-së. Parashihet që pas hyrjes në funksion të parkut të energjisë Serbia të prodhojë 120 mijë tonelata më pak karbon.

Në Kosovë planifikohet të ndodhë e kundërta. Dhe helmimi i ambientit na shitet si kontribut për «miqësinë me Amerikën». Por, asnjë investitor nuk ka mundësi ta detyrojë një qeveri ta helmojë popullin e vet – këtë e bëjnë vetë qeveritë nëse gjejnë popuj të durueshëm dhe të pasenzibilizuar me mbrojtjen e ambientit. Ndërsa Serbia vetëm në vitin 2016 ka eksportuar mallra në vlerë prej gati 14 miliardë euro, Kosova në vitin 2017 merr vendim për «prodhim» të shtuar të karbonit. Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka tërhequr vërejtjen se vendimi për «Kosovën C» është «në kundërshtim me parimet kushtetuese të shtetit demokratik që promovon mbrojtjen e mjedisit, me parimet për mbrojtjen e mjedisit, me ligjin për energjinë mbi promovimin e një tregu të lirë e të integruar në rajon dhe më gjerë. Kapërcimi i këtyre dispozitave kushtetuese dhe ligjore është i papranueshëm dhe si i tillë ky vendim duhet të tërhiqet».

Me këtë qeveri gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla. Sepse struktura qeverisëse e «komandantëve» ka vetëm një vizion për Kosovën: plaçkitjen e resurseve të saj! Kush mund ta pengojë këtë tani për tani? Kosova ka një administratë joefikase dhe gjerësisht të korruptuar. Ndikimi i palëve të treta në proceset e tenderimit është praktikë pothuaj e përditshme. Kosova pothuaj nuk ka kapacitete prodhuese dhe mbetet vend i varur nga importet. Bilanci tregtar është pafundësisht negativ. Investimet publike koncentrohen në ndërtim të rrugëve («autostradave») me çmime tepër të shtrenjta dhe kontrata jotransparente. Investimet e huaja janë të papërfillshme. Rrogat janë ndër më të ulëtat në Europë, ndërsa çmimet e artikujve të konsumit të gjerë shpeshherë të ngjashme me vende të BE-së. Për t’u përballur me këto sfida Kosovës i duhet një qeveri që e çliron vendin nga grupet e interesit partiak, rrjetet oligarkike, klanet mafioze dhe nepotiste. Kush beson se këtë do ta bëjë kjo qeveri, lirisht t’i nënshtrohet trajtimit psikiatrik.