Kosova në skarë!

Presidenti serb është një popullist i pafrenueshëm: të hënën ai qëndroi në Leskoc (Leskovac) në jug të Serbisë, ku mori pjesë në «Leskovačka roštiljijada», një lloj i lojërave «olimpike» serbe për pjekjen e mishit. Aleksandar Vuçiq tha se do të shkojë në Bruksel të takojë Hashim Thaçin, por njëkohësisht u kërcënua se europianëve do t’u bëjë pyetje aq të vështira, saqë atyre «do t’u dhemb koka». Me siguri nga këto pyetje me mish do të dridhet bota dhe do të frikësohen europianët.




Të enjten, kur Aleksandar Vuçiqi do të takojë në Bruksel Hashim Thaçin, në Leskoc të Serbisë festivali i mishit «Leskovačka roštiljijada» do të arrijë kulmin: atë ditë do të përgatitet një «pleskavicë» prej 60 kilogramësh. Kështu mjeshtrit serbë të skarës do të synojnë të hyjnë në Librin e Rekordeve të Guinnessit. Para se të shkojë në Bruksel Vuçiqi ka vizituar të hënën lojërat «olimpike» serbe për pjekjen e mishit. Për çdo vit në këtë manifestim marrin pjesë mijëra serbë mishngrënës dhe përbuzës të vegjetarianëve. Mediat serbe njoftojnë se çarshia e Leskocit është mbuluar nga tymi dhe shefave të skarës djersët po u rrjedhin rrëke. Ata gjatë gjithë kohës po bërtasin: «pljeskavice», «ćevapi», «uštipci», «vešalice», «kobasice», «mućkalice», «pečenja» – me një fjalë: tërë arsenali i specialiteteve serbe të mishit.

Megjithatë, pjekësit e mishit ankohen se njerëzit më shumë po shëtisin se sa po blejnë. Një shenjë kjo e xhepave të zbrazët të qytetarëve dhe fshatarëve serbë. Tollovia më e madhe është krijuar te stenda e quajtur «Kamiondžije», me gjasë jo për shkak të mishit të pjekur, por për shkak të mishit që tundin disa valltare të mbetura pa rrobe. Leskoci këto ditë nuk është vend i preferuar as për feministe.

Në hapjen e mishiadës serbe kanë marrë pjesë të hënën rreth 40 mijë njerëz. Një rast ideal që aty të shfaqet edhe Vuçiqi dhe në stilin e tij të njohur – mes shtirjes vajtimtare dhe krekosjes për fuqinë serbe – të flasë për Kosovën. Vuçiq ka thënë se të enjten do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me kryetarin e Kosovës, sepse e ka për detyrë të kujdeset për të ardhmen e Serbisë dhe të Bogdan Mitroviqit. Kush është Bogdan M.? Një serb i fshatit Mushtisht të Kosovës, i arrestuar nga policia kosovare nën dyshimin se ka kryer krime të luftës. Vuçiq tha se i arrestuari qenkësh i pafajshëm, sepse për këtë, shtoi ai, «jam konsultuar me shërbimet (sekrete) vendore». Së paku Vuçiq e pranoi se serbi i arrestuar në Kosovë ka qenë rezervist. Si popullist i pafrenueshëm Vuçiq para dashamirësve të mishit në Leskoc u kërcënua se europianëve do t’u bëjë pyetje aq të vështira, saqë atyre «do t’u dhemb koka». Disa media të Beogradit raportojnë pikërisht të kundërtën: që momentalisht koka po i dhemb kryetarit serb për shkak të presionit nga Brukseli për të bërë lëshime ndaj Kosovës dhe për t’i dhënë fund manovrave të përbashkëta ushtarake me Rusinë. Edhe roli i Serbisë në Maqedoni, ku përmes ambasadës në Shkup pushteti i Vuçiqit është përpjekur ta mbajë në pushtet – bashkë me Moskën – diktatorin e vogël Nikola Gruevski, ka shkaktuar habi e nervozizëm në Bruksel.

Para se Vuçiqi dhe Thaçi të shkojnë në Bruksel, ka folur edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini. Italiania i ka qetësuar të gjithë ballkanasit me këto fjalë që rrjedhin si rrëshira e fikut: «Ballkani nuk është oborr i Europës, por pjesë e saj». Fantastike! Tani serbët në Leskoc mund të hanë mish pa merak dhe kosovarët të bëjnë gati pasaportat për udhëtimin e radhës, sepse vizat e Schengenit do të hiqen së shpejti. Realiteti, ndërkaq, është ky: gazeta «Blic» raportoi mbi familjen 6-anëtarëshe Markoviq, e cila vizitoi mishiadën e Leskocit. «Gjyshja do të qerasë, e ka marrë pensionin. Mami dhe babi nuk punojnë», tha mbesa Milana. «Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, çdo familje e pakënaqur është e pakënaqur në mënyrën e vet», shkruan Tolstoi. «Mami dhe babi nuk punojnë» – këtë fjali e përsërisin edhe shumë fëmijë kudo në Ballkan, e sidomos në Kosovë.