Kosova në listën e vendeve që meritojnë më shumë turistë

Revista me nam botëror, «National Geographic», në një artikull të publikuar së fundmi e ka përfshirë Kosovën në mesin e dhjetë vendeve që do të duhej të kishin më tepër turistë nga e gjithë bota.

Artikulli me titull «10 vendet që meritojnë të kenë më shumë udhëtarë» e njofton lexuesin me disa prej destinacioneve që befasisht kanë shumëçka për t’iu ofruar vizitorëve. Përveç Kosovës, në këtë listë janë përfshirë edhe Shqipëria, Armenia, Uzbekistani, Irani, Nikaragua, Nepali, Timor-Leste, Gjeorgjia dhe Tunizia. Pjesa që i dedikohet Kosovës nis me një historik të shkurtër.

«Shteti më i ri në Evropë (e ka shpallur Pavarësinë më 2008) nuk ka qenë një prej vendeve kryesore në këtë shteg turistësh. Vendi i konfliktit të dhunshëm dhe i tensioneve politike midis etnisë serbe dhe shqiptarëve gjatë viteve ’80 e ’90, që kulmuan me luftën e Kosovës së viteve 1998, Kosova ka kaluar thuajse një dekadë si protektorat i Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, sot Kosova e pavarur është një prej aventurave më interesante të destinacioneve të udhëtimit», shkruan «National Geographic», transmeton «Koha Ditore».

Tara Isabella Burton, autore e këtij teksti po ashtu përgjigjet në pyetjen se përse duhet vizituar Kosova.

«Nëse është shkruar shumë për kulturën e lulëzuar të kafeneve në Prishtinë, për kryeqytetin bohemian, nëse jo të shquar në aspektin estetik, pasuria e Kosovës ndodhet në jug. Qyteti mesjetar i Prizrenit – një qytet kodrinor në majën e të cilit është një kala, qytet i hamameve osmane dhe i bazilikave të shekullit katërmbëdhjetë – paraqet një bazë të përkryer prej së cilës mund të ngjitesh apo skijosh në malet Sharr ose thjesht të shëtisësh buzë liqenit», shkruhet në artikullin e revistës prestigjioze që i dedikohet gjeografisë dhe botës së eksplorimit.

«I ruajtur mirë, pa dëlirësinë e fqinje në Ballkan, si Sarajeva, pjesa historike e Prizrenit, në të cilën mund të ecësh me lehtësi, paraqet labirint të kulmeve, minareve e kafeneve», shton Burton kur e përshkruan qytetin kulturor të Kosovës.

Ajo po ashtu përmend se vizitorët që nuk flasin shqip nuk do të kenë telashe për t’u kuptuar, meqenëse shumica e të rinjve kosovarë flasin gjuhën angleze. Tutje, vizitorët sugjerohen ta vizitojnë Brodin, që përshkruhet si fshat me shtëpi guri e vetëm një furrë buke, i cili ndodhet në zemër të Maleve të Sharrit.

«Brodi mund të mos ofrojë shumë sa u përket hoteleve (një burrë i vjetër i quajtur Biligap, që e zbulova duke shëtitur përreth, ofron me qira shtëpi për 20 dollarë shtrati), por është shumë lehtë të gjeni me qira kuajt që janë disi të vrullshëm. Pamjet gjatë ngjitjes dhe kalërimit përreth Brodit ndryshojnë sipas sezonit, nga e gjelbra e hapur në të artë», shkruhet aty. Turistët porositen të kenë kujdes, për shkak se «mund të ketë ende toka të minuara veçanërisht në kufirin Kosovë-Shqipëri».

Në pjesën që ia ka dedikuar Shqipërisë, «National Geographic» fillimisht përmend se me dekada të tëra ka qenë një prej vendeve juglindore evropiane më së paku të vizituara. Po ashtu, përmendet se për një kohë ka qenë nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Turistët rekomandohen të vizitojnë Butrintin, Dhërmiun e Himarën.

«Mungesa relative e zhvillimit në Shqipëri ka qenë një lloj ndihmese për lokalitetet e mbrojtura si trashëgimi botërore nga UNESCO-ja, mes të cilave kompleksi i Butrintit, që është një prej qyteteve greko-romake më së miri të ruajtura në Evropë», shkruhet, ndër të tjera,aty.