Kosova në hall me kufijtë: gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë

Nacionalizmi i rrënjosur thellë i kishte dhënë jetë luftës paqësore për autonomi gjatë atyre dhjetë viteve dhe luftës së Kosovës për pavarësi. Kur dihet se mezi është ruajtur toka, qytetarët e një shteti të ri e kanë të zorshme që tolerojnë humbjen e hiseve territoriale, shkruan «Washington Post».

Gati përditshmëri? Pamje nga një prej seancave të Kuvendit të Kosovës të ndërprera me gaz lotsjellës.

Tym, britma, kaos dhe gaz lotsjellës janë mjetet e rebelimit – është fjala për një seancë parlamentare në Kosovë. Është bërë shprehi që partitë opozitare në këtë shtet të Ballkanit perëndimor të shtyjnë votimin nëpërmjet përdorimit të gazit lotsjellës dhe taktikave obstruksioniste. Po ndodh aq shpesh, saqë Qeveria është detyruar të përdorë detektorë më të avancuar të metaleve dhe sistem më të fortë të ventilimit në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Pse? Për shkak të kufirit të kontestuar të Kosovës me Malin e Zi. Afërmendsh, konfliktet kufitare anembanë botës mund të jenë të dhunshme. Por, ndryshe prej shumicës së konflikteve kufitare, ky po zhvillohet ndërmjet partive politike brenda shtetit të njëjtë.

Kosova është e fundit prej ish-shteteve jugosllave që fitoi pavarësinë. Pas dhjetë vitesh të protestave të paefektshme paqësore në vitet nëntëdhjetë, Kosova luftoi me Serbinë gjatë viteve 1998-99. Ajo luftë përfundoi kur NATO-ja ndërhyri dhe bombardoi Serbinë. Pas dhjetë vitesh të kaluara nën monitorimin e Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Kosova, mbështetur prej Shteteve të Bashkuara, shpalli njëanshëm pavarësinë prej Serbisë më 2008. Serbia nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova e Serbia aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Tani si kusht për marrëveshjen e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian, Kosova duhet ta qartësojë kufirin e saj me Malin e Zi, që u nda nga Serbia më 2006. Në këmbim, BE do të lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë legalisht në vendet anëtare të BE-së për kujdes shëndetësor, shkollim dhe biznes. Meqë Mali i Zi ishte pjesë e Serbisë, përcaktimi i vijës kufitare është hapi i parë për përcaktimin e kufijve me shtetin e ri. Hapi i radhës më i vështirë do të jetë përcaktimi i vijës kufitare me atë që sot njihet si shteti i Serbisë.

Ku nis saktësisht Mali i Zi?

Çështja është nëse kufiri me Malin e Zi është afër këmbëve të Maleve të Rugovës apo më lartë, në kurrizin e vargmaleve. Malet e Rugovës, që shpeshherë përkthehen si Bjeshkët e Nemuna, ndajnë Kosovën dhe Malin e Zi. Shumë ekspertë kanë sjellë studime që tregojnë se kufiri në këmbët e maleve është i saktë, sepse përkon me studimet e kryera prej Agjencisë Kadastrale të Kosovës, autoritetit qeveritar të hartave, dhe hartave të kufijve të vjetër jugosllavë ndërmjet dy rajoneve. Shumica e anëtarëve të Partisë Demokratike (PDK) në pushtet, mbështesin kufirin e propozuar në këmbët e maleve, që është rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar më 15 prill 2015, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja nuk është konsideruar kundërthënëse në Mal të Zi, që ka marrëdhënie të mira miqësore diplomatike me Kosovën.

Sidoqoftë, partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që gëzon përkrahje në zonat që shtrihen përgjatë kufirin me Malin e Zi, Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën kundërshtojnë vijën e propozuar kufitare në këmbët e maleve. Ato mendojnë se dokumentacioni është ndryshuar dhe se kufijtë e shtetit ishin reduktuar gjatë kohës së konfliktit me Serbinë – dhe ngulmojnë se kufiri duhet të çohet lart në kurrizin e maleve.

A ka vende të tjera me gaz lotsjellës në Kuvend?

Ky do të ishte thjesht teatër argëtues politik nëse nuk do të bëhej fjalë për çështje me ndjeshmëri të lartë. Demarkacioni ka qenë një prej justifikimeve për demonstrata antiqeveritare të dhunshme prej përkrahësve të partive opozitare. Këto protesta kanë pllakosur Kosovën më 2016 dhe kanë frenuar Qeverinë që të mund të kryejë me sukses funksionet e veta për rreth gjashtë muaj.

Njëherësh, ekonomia e pasluftës po ngec derisa Kosova po ka telashe me transicionin e saj prej socializmit. Shkalla e papunësisë ka fluturuar deri në 55 për qind në mesin e atyre që janë të moshës prej 15 deri në 24 vjeç. Nuk është për t’u habitur, migrimi ilegal nga Kosova në pjesët e tjera të Europës ka shënuar ngritje të madhe, meqë rinia po kërkon vende pune, që nuk mund t’i gjejnë në vendlindje. Liberalizimi i vizave dhe integrimi i mëtejshëm në shtetet e Bashkimit Europian do të mund të ndihmonte ekonominë e Kosovës – por nuk mund të arrihet derisa të zgjidhet çështja e kufirit.

Nacionalizmi i rrënjosur thellë i kishte dhënë jetë luftës paqësore për autonomi gjatë atyre dhjetë viteve dhe luftës së Kosovës për pavarësi. Kur dihet se mezi është ruajtur toka, qytetarët e një shteti të ri e kanë të zorshme që tolerojnë humbjen e hiseve territoriale. Demarkacioni ishte menduar se do të votohej më 1 shtator, por Qeveria e tërhoqi draftligjin, me supozimin se disa deputetë të PDK-së ishin bindur prej protestave opozitare – dhe nga frika se demarkacioni nuk do të kalonte në Kuvend.

Analisti politik, Andrew Owsiak, ka treguar se kur shtetet përcaktojnë kufijtë e tyre, ka më pak mundësi të shkohet në luftë me fqinjët. Por ka një hile në këtë punë: kur shtetet e reja i përcaktojnë kufijtë, ka rrezik të shpërthejë luftë.

Nga 1998 deri më 2000, Etiopia dhe shteti i ri i Eritresë zhvilluan një luftë brutale kufitare, me dhjetëra-mijëra të vrarë për shkak të Trekëndëshit Badme, një zonë e vogël me një qytezë të vetme. Ende ka telashe për Badmen. Së fundi, Sudani dhe shteti i ri i Sudanit Jugor po luftojnë për shkak të vijës së përcaktuar keq në kufi në rajonin Abyei.

Shumë vrojtues preferojnë të besojnë se krijimi i një shteti të ri mund t’i japë fund luftës civile. Por, siç tregojnë edhe këta shembuj, përcaktimi i kufijve mund të jetë në fakt shkëndijë për ringjalljen e konflikteve.

Ndryshe prej këtyre konflikteve, Mali i Zi kurrë nuk ka luftuar kundër Kosovës, madje të dy shtetet u ndanë prej Serbisë. Por, përcaktimi i kufirit është vetëm hapi i parë në sjelljen sfiduese. Në njëfarë pike, Kosovës do t’i duhet që zyrtarisht të përcaktojë kufijtë, dhe të tensionuara janë raportet ndërmjet dy shteteve. Nëse përcaktimi i kufirit me Malin e Zi mund të shndërrohet në trazira qytetare, atëherë me siguri se do të dridheshin themelet e paqes kur të vijë koha e përcaktimit të kufirit me Serbinë.

(Autorja është drejtuese e Studimeve Ndërkombëtare dhe profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Richmondit. Ajo studion të drejtën e pronës, drejtësinë dhe rikthimin e emigrantëve pas konfliktit)