Kosova – mes një të frikësuari dhe një budallai

Hashim Thaçi tutet se do ta akuzojnë për krime lufte, andaj paralajmëron trazira në Kosovë – që pastaj të imponohet si «faktor stabiliteti». Përballë tij qëndron një budalla nga Beogradi, Tomisllav Nikoliqi, i cili ka interes të mobilizojë shtresat nacionaliste serbe në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Lufta e gjelave dhe shqiptarët. Pikturë e Paja Jovanoviqit.



Krerët e fiseve serbe qëndruan në Bruksel. U takuan me një italiane që ushtron detyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian. Në kryeqytetin e Europës ishin edhe bajraktarët shqiptarë të Kosovës. Edhe ata u takuan me Federica Mogherinin. Folën për trenin, të cilin e ndali kryeministri i Serbisë në Rashkë. Diskutuan për trenin, të cilin e ndali kryetari i Kosovës. Folën edhe për trenin, të cilin e ndali lokomotivisti fare afër një varreze masive, ku kriminelët shtetërorë serbë pas luftës së Kosovës groposën dhjetëra viktima shqiptare dhe pastaj, për të fshehur gjurmët e krimit, shtruan një shtresë asfalt. Për trenin është folur në Bruksel, kjo është e sigurt, por a ishte temë edhe varreza masive në Rashkë? Përse nuk janë dënuar kriminelët serbë që i kanë hedhur civilët shqiptarë në atë gropë? Sidoqoftë, krerë fisesh dhe bajraktarë nga Serbia e Kosova hëngrën darkë me zonjën nga Italia, e cila para se të merrte postin e kryediplomates së BE-së ishte kritikuar për qëndrimet e saj tepër mirëkuptuese ndaj Kremlinit.

Gjatë darkës thuhet se Mogherini kishte insistuar që të dyja palët të heqin dorë nga retorika nxitëse, nga fjalët e mëdha, kërcënimet. E kështu me radhë. Sipas diplomates nga Italia liderët e Beogradit dhe Prishtinës u pajtuan se do të sillen mirë në të ardhmen, do të ulin tensionet. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha se tani «do të ulej topi», që i bie: nuk do ketë më fjalë fluturuese që vetëm mund të acarojnë situatën. Mediat serbe përhapën një lajm se Vuçiq u ka dhënë urdhër zyrtarëve shtetërorë të mos prononcohen për gjendjen në Kosovë.

Dhe çfarë ndodhi? Pas kthimit në Prishtinë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Kosovën në marrëdhëniet me Serbinë «e presin ditë të rënda». Ai kërkoi madje «mobilizim politik e qytetar për t’iu kundërvënë trysnive të Serbisë». Pas shumë viteve të bisedimeve në Bruksel, pasi vetë Thaçi ndonjë anëtar të delegacionit të Kosovës e kishte krahasuar me «lopë» për shkak të paditurisë, pasi parlamenti symbyllur ka miratuar gati të gjitha marrëveshjet me Serbinë, tani Thaçi kërkon ndihmën e qytetarëve të Kosovës për t’u mobilizuar ndaj Serbisë, ndonëse mendimi i qytetarëve të Kosovës, i mediave kritike dhe i shoqërisë civile të pakorruptuar është injoruar në mënyrë konstante nga koalicioni i madh PDK-LDK, të cilit i ka prirë Thaçi. Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk janë kundër dialogut me Beogradin, por janë kundër këtij formati të dialogut, kur Serbia hap pas hapi integrohet në Bashkimin Europian dhe hap pas hapi kthehet në Kosovë. Ideja e BE-së e pranuar nga pala kosovare se duhet të flasim për çështje që lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe jo për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është mashtrim. Sepse gjatë negociatave Serbia po depërton gjithnjë e më thellë në shtetin e Kosovës, bile tashmë mund të thuhet se Prishtina po e ndan sovranitetin me Beogradin në Kosovë, andaj nëse pala serbe e pranon një ditë pavarësinë e Kosovës – kjo njohje mund të jetë e pavlerë. Kur Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, atëherë s’do të ketë nevojë të flitet më për njohje të pasaportave të qytetarëve të Kosovës. Ta futësh Kosovën në një qorrsokak dialogu pa fund, siç kanë vepruar krerët e PDK-së dhe të LDK-së të drejtuar nga Thaçi, duke premtuar se kështu Serbia po e pranonte shtetësinë kosovare, pastaj në vitin 2017 të kërkosh mobilizim qytetar kundër rrezikut që po kanoset nga Serbia tregon se diçka nuk ka qenë në rregull me konceptin kosovar të dialogut.

Tash kryetari i Kosovës paralajmëron ditë të rënda për Kosovën. Vërtet, ditë të rënda po e presin vetë Thaçin. Frika e tij se mund të akuzohet nga Gjykata Speciale ndikon që ai hallet e tij personale t’i përziej me fatin e Kosovës. Ai po tutet se do ta akuzojnë për krime lufte, andaj paralajmëron trazira në Kosovë – që pastaj të imponohet si «faktor stabiliteti». Prej se është ulur në kolltukun e presidentit ai është marrë kryesisht me rregullimin e ngatërresave personale, duke ledhatuar, dekoruar, lavdëruar familje kryesisht të Drenicës, të cilat e kanë akuzuar për përzierje në krime të rënda (rrahje, vrasje). Pranimi i dekoratave të tij flet shumë edhe për karakterin e vetë familjarëve të viktimave. Sidoqoftë, askush nuk mund t’ua ndalojë atyre që në pazarin e madh të intrigave politike kosovare të nxjerrin në tezgë për shitje edhe gjakun e familjarëve të tyre. Ka ndodhur kjo edhe më herët në parlamentin e Kosovës. Askush nuk mund t’ua ndalojë që drejtësinë ta zëvendësojnë me 124 pleq dhe besëlidhje tribale nën hijen e lisave apo në lëndina.

Krahas të frikësuarit Hashim Thaçi gjendet një budalla. Ai është Tomislav Nikoliqi, i cili ka ambicie të bëhet president i Serbisë edhe njëherë. Në pranverë do të mbahen zgjedhjet dhe Nikoliq synon të mobilizojë klientelën e tij nacionaliste. Kur treni u ndal në Rashkë, ai nxitoi të kërcënohet me intervenim të ushtrisë serbe në Kosovë, tha se do të ishte i pari që – bashkë me dy djemtë e tij – do të luftonte për Kosovën. Pas përfundimit të bisedimeve në Brukseli, ku Nikoliq me gjasë kishte premtuar se do të hiqte dorë nga kjo retorikë, kryetari serb shkoi për vizitë në Portugali. Atje vazhdoi me avazin e vjetër: tha se në Bruksel e kishte pyetur Thaçin sa e kishte të lartë avllinë përreth shtëpisë. Ky është një klishe ksenofob i nacionalistëve serbë, të cilët shqiptarët nuk mund t’i paramendojnë ndryshe përveç se të tillë që i fshehin gratë pas avllive dhe kohën e kalojnë duke zhvilluar luftëra me gjela, bash ashtu siç i ka pikturuar Paja Jovanoviqi dikur. Gjatë qëndrimit në Lisbonë Nikoliq deklaroi se koha po punon për Serbinë dhe populli serb në Kosovë dhe serbët në përgjithësi mund të presin sinjale pozitive nga të pushtetshmit e botës. Ai tha se në Bruksel ishin marrë vesh të mos japin deklarata, por «natyrisht» shqiptarët mashtruan», duke iu referuar konferencës për shtyp të Thaçit menjëherë pas arritjes në Prishtinë. Kështu krijohen situata paradoksale politike në Kosovë: i frikësuari ia gjuan topin budallait.

Në Portugali Nikoliq u përpoq t’i bind udhëheqësit e atij vendi që të mos votojnë në të ardhmen për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Nga kryetari i ri amerikan Donald Trump Nikoliq pret ndryshimin e kursit politik ndaj Serbisë, sepse, siç tha, Beogradi ka pasur probleme me kryetarët e deritanishëm amerikan. «Pres që njerëzit në SHBA të mendojnë se si nuk duhet filluar konfliktet», tha Nikoliq. Domethënë konfliktin në Kosovë e paskëshin filluar SHBA-të dhe Serbia e pafajshme vetëm qenka mbrojtur. Ndërsa Nikoliqi zhvillon fushatë kundër Kosovës në një vend anëtar të BE-së, i cili e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, bajraktarët tanë politikë merren me beteja politike nëpër sokakët e Prishtinës.

Për shkak të biografisë së tij politike Thaçi nuk i ka dyert e hapura në shumë kryeqytete, por çfarë bën Isa Mustafa? Nëse ka një fushë ku ai si kryeministër ka dështuar plotësisht është politika e jashtme. Vende si Polonia dhe Japonia, të cilat ndonëse kanë pranuar pavarësinë e Kosovës nuk përkrahën anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, janë lënë anash nga autoritetet kosovare. Mustafa nuk ka arritur të zhvillojë asnjë vizitë në botën e jashtme që do t’u hapte Kosovës ndonjë perspektivë për përmirësimin e pozitës ndërkombëtare. Kryeministri nuk ka vizituar asnjë vend në Amerikën Latine, asnjë shtet në Afrikë, asnjë vend arab, as në Azi nuk ka qenë. Mbrojtësit e tij mund të thonë se ekziston ministria e Jashtme për këtë punë. Për ministrinë e Jashtme mund të thuhet vetëm kaq: në atë institucion shumica e të ashtuquajturve diplomatë kanë vetëm një talent – talentin për intriga kundër njëri-tjetrit. Fundja, kjo nuk paraqet ndonjë befasi, sepse edhe kjo ministri si shumë institucione shërben vetëm si çerdhe për nepotizëm dhe si sektor për t’i «rehatuar» militantët partiakë. Rrjedhimisht, nuk duhet të befasohet askush që Serbia është më e pranishme në arenën e politikës ndërkombëtare se Kosova – për këtë flet edhe vizita e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq së fundi në Izrael dhe në Palestinë, por edhe qëndrimi i Nikoliqit në Portugali. Ndërkohë loja e rrezikshme mes budallait nga Beogradit dhe të frikësuarit nga Prishtina vazhdon.