Kosova merr pjesë në Samitin ndërkombëtar të Gjykatave të Larta

Një delegacion nga gjyqësori i Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, po merr pjesë në Samitin e tretë Ndërkombëtar të Gjykatave të Larta, që po mbahet në Bursa të Turqisë, kësaj radhe me temë «Transparenca në procesin gjyqësor», njofton kumtesa nga Gjykata Supreme, transmeton Koha.net.




Ditën e parë të samitit, kryetari Hasani është paraqitur para të pranishmëve me fjalë rasti për transparencën gjyqësore, ndërkaq në ditën e dytë, për përfshirjen e komuniteteve në gjyqësor.
Kreu i Supremes, ka theksuar rëndësinë e transparencës në proceset gjyqësore, duke i njoftuar homologët nga bota, me ndryshimet ligjore, reformën dhe progresin që gjyqësori i Kosovës ka shënuar në këtë drejtim.

Në këtë samit janë trajtuar çështje me rëndësi për sistemet gjyqësore të vendeve pjesëmarrëse, si qasjen në drejtësi, gjykimet publike, qasjen e lehtë në objektet e gjykatave dhe në informata, qasjen në informacione mbi procedurat gjyqësore dhe dokumente relevante, publikimin e vendimeve gjyqësore, marrëdhëniet me mediat dhe strategjitë e komunikimit, vlerësimin e kënaqësisë së publikut me dhënien e drejtësisë, etikën në gjyqësor, etj..
Samiti treditor ka filluar punimet me 1 dhe 2 qershor në Bursa, ndërkaq, të premten do t’i vazhdoi ato në Stamboll, ku pritet të nënshkruhet «Deklarata e Stambollit për Transparencë në procesin gjyqësor».