Kosova merr përkrahjen e Holandës për proceset e shtetndërtimit

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems, e cila i dorëzoi letrat kredenciale.




Presidentja Jahjaga e uroi ambasadoren Gerrie Willems për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të saj në Kosovë.

Presidentja Jahjaga me këtë rast vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe çmoi lartë mbështetjen që Holanda i ka dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës për proceset e shtetndërtimit.

Ajo theksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellim dhe zgjerim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në çdo sferë me interes dypalësh.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems, shprehu vendosmërinë e vendit të saj për të avancuar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në çdo fushë me interes të përbashkët.