Kosova merr masa për të ruajtur sendet e viktimave të luftës

Rroba dhe sende të tjera personale të viktimave të luftës, të ruajtura në Institutin e Mjekësisë Ligjore që prej vitit 2003, po transferohen në një vend më të mirë, pas thirrjeve për t’u siguruar që ato të ruhen në kushte më të mira.




Mijëra sende që kanë qenë në pronësi të viktimave të luftës në Kosovë, trupat e të cilëve janë gjetur në varre masive dhe individuale që prej kohës së konfliktit, po transferohen në një vend më të përshtatshëm, pasi janë ruajtur për vite me radhë në kushte të këqija.

Kjo lëvizje vjen pas një presioni nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, dhe familjarëve të viktimave.

Që prej vitit 2003, Gerxhaliu dhe kolegët e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kujdesur në mënyrë vullnetare për sendet e viktimave duke u ndryshuar paketimin dhe duke vendosur rafte në tendën ku ato ruheshin.

“Gjatë këtyre viteve, bashkë me stafin tonë, ne kemi blerë dërrasa dhe kemi bërë rafte dhe çdo verë dhe vjeshtë kemi ndërruar paketimin prej letre, duke u përpjekur t’i mbajmë këto objekte të sigurta në mënyrë që ato të mos shkatërrohen,” tha Gerxhaliu për BIRN-in.

Ministria e Administratës Publike ka gjetur një vend me kushte më të mira për të ruajtur sendet në një ndërtesë të qeverisë në Prishtinë.

«Ky vend është shumë më i mirë, sepse nuk ka lagështi siç kishte në tendën ku sendet janë mbajtur për vite me radhë», tha Gerxhaliu.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar po ndihmon në këtë proces dhe ka punësuar dy njerëz që po pastrojnë dhe paketojnë siç duhet sendet e viktimave.

Meqenëse ka me mijëra sende, procesi që nisi në tetor do të vazhdojë edhe vitin tjetër.

«Ka me mijëra, por rreth 700-800 pako do të transferohen para dimrit, ndërsa kemi dhjetë kontejnerë plot që duhet të konsiderohen si një projekt për vitin që vjen», tha Gerxhaliu.

Ai tha se për shkak të rëndësisë së sendeve, do të ishte ideale që në të ardhme të ndërtohej një muze për viktimat, i ngjashëm me muzetë e Holokaustit.

«Këta artikuj janë ura midis viktimës dhe familjes. Kjo është provë se nuk duhet të harrojmë», tha ai.

«Them ‘ura’, sepse këto janë ato që kishin viktimat deri ditën që u vranë, deri në minutën e fundit të jetës së tyre. Kryesisht janë sende si ora dore, krehra, pasqyra, stilolapsa, syze, çelësa, etj. Gjëra që i mbajnë zakonisht njerëzit», shtoi ai.

Sendet e viktimave do të ruhen në ndërtesën «Rilindja», ku ndodhen disa ministri.

(https://www.reporter.al/kosova-merr-masa-per-te-ruajtur-sendet-e-viktimave-te-luftes/)