Kosova me potencial të lartë për ekstremizëm fetar

Kosova vazhdon të cilësohet si vend me një potencial të lartë të rekrutimit dhe përhapje të ideologjisë radikale.

Këtë e vërtetojnë edhe profilet e pjesëmarrësve nga Kosova në luftën e Sirisë dhe Irakut, të cilat ngërthejnë elemente dhe motive të ndryshme, raporton KTV.

E këtë qytetarët e shohin si rrezik, por kjo nuk ka ndikuar tek shumica e tyre.

Këto janë gjetjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ku edhe është prezantuar sondazhi «Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmi në Kosovë».

Sipas raportit, të anketuarit kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Derisa hulumtimet e këtij raporti thonë se qytetarët, më shumë u besojnë institucioneve fetare, se sa qeverisë dhe gjykatave.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të BIK-ut, sipas të cilëve institucionet fetare gjithmonë kanë dalë më të besueshme.

Rreth 55 për qind kanë deklaruar se qytetarët e Kosovës, të kthyer nga lufta e Sirisë dhe Irakut, duhet t’i nënshtrohen programeve strikte të riintegrimit, rehabilitimit dhe deradikalizimit.