Kosova me dilema gjyqësore pas përfundimit të mandatit të EULEX-it

Kur EULEX-i të përfundojë mandatin e tij në mes të qershorit, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës do të duhet të trajtojnë për herë të parë me qindra raste krimesh lufte dhe korrupsioni pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

Veturë e dhuruar nga EULEX-i për institucionet e Kosovës.



Automjetet blu me targa të BE-së po duken gjithnjë e më pak në parkingun e EULEX-it në Prishtinë, pasi ai vazhdon të pakësohet me shpejtësi në muajt e fundit të mandatit të tij dhjetëvjeçar në vend. Që nga viti i kaluar, EULEX-i ka bërë donacione të ndryshme të mjeteve 4×4 dhe pajisjeve të tjera për institucionet e Kosovës «në mbështetje të nismave për ndërtimin e kapaciteteve dhe vënien në zbatim të praktikave më të mira» pasi shkarkon gjithçka që nuk mund ta marrë me vete kur të largohet. Por nuk janë vetëm makinat që po ndryshojnë pronarë.

Brenda godinave, zyrtarët e EULEX-it janë në proces të dorëzimit të dokumenteve ndërsa kontratat e stafit po mbarojnë. EULEX, misioni më i madh civil i Bashkimit Europian, që ka funksionuar në Kosovë që nga viti 2008 me një ekip prokurorësh dhe gjyqtarësh të ngarkuar kryesisht me trajtimin e krimeve të luftës dhe korrupsionit të zyrtarëve të profilit të lartë, përfundon mandatin e tij në mes të qershorit. Të gjitha dosjet e çështjeve të tij duhet t’i dorëzohen gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë që të procesohen deri në përfundimin e misionit më 15 qershor. Bazuar në planin e tranzicionit të EULEX-it i cili i është dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës, rreth 900 dosje krimesh lufte pritet t’i dorëzohen prokurorëve vendorë. Deri më tani, ata kanë marrë rreth 200. Përveç atyre të klasifikuara si krime lufte, do të dorëzohen edhe rreth 2000 dosje të tjera për personat e zhdukur.

Prokurorja Speciale e Kosovës, Drita Hajdari, thotë se rreth 355 dosje krimesh lufte tashmë janë duke u trajtuar nga prokurorët vendorë. Do të transferohen gjithashtu edhe 70 raste korrupsioni. EULEX deri më tani ka dorëzuar më pak se gjysmën e rasteve të tij te gjyqtarët dhe prokurorët vendorë. Në total, 117 çështje gjyqësore në vazhdim e sipër priten të transferohen. Por Hajdari druhet se numri i madh i çështjeve që po kalohen nga EULEX-i do të jetë një problem për gjyqësorin vendas, sidomos në vitet e para pas dorëzimit. «EULEX po na lë në duar një çështje të ndjeshme», tha ajo për BIRN. «Ka kaluar shumë kohë. Ka dëshmitarë që tani nuk janë më gjallë dhe prova që janë venitur. Për më tepër, sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ketë dënime në mungesë», shtoi ajo.

BE-ja vendosi ta shpërndajë misionin e saj për sundimin e ligjit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Rreth 2500 zyrtarë, përfshirë policë, gjykatës, prokurorë dhe doganierë, trashëguan punën që ishte kryer që nga fundi i luftës nga Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK. Një dekadë më vonë, prokurorët vendas si Hajdari mendojnë se EULEX-i nuk e ka lehtësuar punën e zyrtarëve të tyre gjyqësorë aq sa pritej fillimisht, plus që kishte vështirësi të mëtejshme në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. «Mungesa e bashkëpunimit me Serbinë ishte një problem thelbësor. Serbia nuk i ekstradon qytetarët e saj, Kosova nuk i ekstradon të sajët. Të dy vendet nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap të rëndësishëm drejt trajtimit të krimeve të luftës. Unë mendoj se ato raste do të jenë një barrë për vitet e ardhshme», tha Hajdari.

EULEX-i aktualisht mban një mandat ekzekutiv në çështjet penale më serioze, por nuk ka marrë përsipër ndonjë çështje të re që nga viti 2014, kur misioni filloi transferimin e tij tek autoritetet e Kosovës. «Për shkak të transferimit gradual të funksionit ekzekutiv të EULEX-it tek autoritetet lokale, gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk do të jenë pjesë e gjykatave të Kosovës që nga 15 qershori 2018. Dorëzimi i rasteve është në proces që vazhdon që prej vitit 2014», tha EULEX për BIRN.

Bekim Blakaj, kreu i zyrës së Prishtinës i Fondit për të Drejtën Humanitare, që monitoron rastet e krimeve të luftës, thotë se numri i madh i çështjeve të prapambetura nënkupton se nevojitet një strategji e re për t’i trajtuar ato. «Ekziston nevoja për krijimin e një dhome apo departamenti të specializuar për krimet e luftës në gjykatat themelore të Kosovës që do të trajtojë krimet e luftës», tha Blakaj. Ai sugjeroi se gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës duhet të ishin më të specializuar dhe të trajnoheshin më shumë për çështjet e krimeve të luftës në mënyrë që të ngrihen standardet. «Për shkak të afateve (për ngritjen e padisë brenda dy vjet e gjysmë nga fillimi i hetimit), secila çështje duhet të inspektohet me qëllim që të kontrollohet se në cilën fazë është çështja dhe ç’duhet bërë në fillim», tha Blakaj për BIRN. Ai tha se kjo ishte e nevojshme edhe pse rastet e krimeve të luftës nuk skadojnë kurrë për shkak të statutit të kufizimeve.

Dy institucione që do të mbajnë barrën e rasteve të transferuara, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk i kanë forcuar kapacitetet e tyre për t’u marrë me rritjen e volumit të punës. Blerim Isufaj, kreu i Këshillit Prokurorial, pranoi se kjo ishte thelbësore pasi nuk është e qartë nëse ka staf të mjaftueshëm për t’u marrë me të gjitha dosjet e çështjeve, nëse të gjitha rastet janë hetuar si duhet dhe mund të ngrihen akuza.

«Vështirësitë kryesore janë në numrin dhe cilësinë e aktiviteteve procedurale të ndërmarra deri më tani nga EULEX-i, sidomos në provat e mbledhura për dosjet dhe statusin e tyre aktual», tha Isufaj për BIRN.

Sistemi i krijuar nga EULEX-i gjatë dekadës së fundit gjithashtu përbën një sfidë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, të cilët do të duhet të përshtaten me stilin europian të punës. «Transferimi i disa çështjeve që janë në vazhdim e sipër do të përbëjë vështirësi për gjyqtarët në fillim. Gjyqtarëve u nevojitet kohë që të lexojnë materialet, të familjarizohen me dosjet dhe të vazhdojnë procedurat», tha për BIRN Nehat Idrizi, kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë dekadës së tij në Kosovë, EULEX-i, i cili së fundi kishte një buxhet vjetor prej rreth 50 milionë eurosh, ka ngjallur kritika të ashpra dhe u përball me akuza për korrupsion, neglizhencë dhe mashtrim. Në vitin 2012, një raport nga Gjykata Europiane e Auditorëve tha se «misioni më i madh i Bashkimit Europian në Kosovë, ka qenë jo efikas dhe i shoqëruar me shumë vonesa». Reputacioni i misionit u shoqërua me më shumë akuza të padëshiruara në vitin 2014 kur një prokurore e EULEX-it, Maria Bamieh, akuzoi një nga gjyqtarët për korrupsion. Bamieh tha se ajo zbuloi duke lexuar përgjimet telefonike në një rast që ajo po hetonte se kolegu i saj, gjyqtari italian Francesco Florit, mori një ryshfet prej 300 mijë eurosh për të liruar një të pandehur në një rast vrasjeje dhe kërkoi një tjetër ryshfet në një rast korrupsioni kundër një zyrtari të ministrisë së shëndetësisë të Kosovës. Florit i mohoi akuzat, por pretendimet shkaktuan një skandal pasi Bamieh u pezullua nga puna dhe bëri publike akuzat se EULEX fillimisht i shpërfilli dyshimet e saj dhe në vend të kësaj e akuzoi atë si informatore. Një hetim nga BE-ja zbuloi se akuzat për korrupsion nuk ishin fshehur, ndërsa një hetim penal i ndërmarrë nga prokurorët e Kosovës dhe prokurorët ndërkombëtarë vërtetuan se akuzat e Bamieh ishin të pabazuara.

Problemet me mbrojtjen e dëshmitarëve gjithashtu kanë vazhduar dhe ka gjasa të mbeten çështje serioze për sistemin gjyqësor të Kosovës. Agim Zogaj, i ashtuquajturi «Dëshmitari X» në një gjyq për krime lufte ku përfshihej edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj, kreu vetëvrasje në vitin 2011 në qytetin gjerman të Duisburgut pasi u dërgua atje si dëshmitar i mbrojtur. Dy dëshmitarë të tjerë në një rast tjetër kundër ish-luftëtarëve të grupit të Drenicës të UÇK-së tërhoqën dëshmitë e tyre, duke iu trembur hakmarrjes. Sipas Këshillit të Prokurorisë së Kosovës, po ndërmerren një sërë masash për të forcuar programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, përfshirë masa sigurie, mundësinë e zhvendosjes dhe mbështetje financiare. Megjithatë, ai tha se pret sfida «të mëdha» për këtë çështje për shkak të besimit që duhet të ndërtohet nga e para në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Me mijëra vdekje gjatë luftës dhe shumë pak krime lufte të gjykuara, sistemit gjyqësor i duhet të merret me shumë gjëra dhe ai duhet ta bëjë këtë pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Blakaj tha se sistemi gjyqësor i Kosovës gjithashtu do të përballet me të njëjtat probleme si UNMIK dhe EULEX në trajtimin e krimeve të luftës. «Rastet e krimeve të luftës duhet të kenë përparësi sepse është më e vështirë të gjenden prova. Në shumicën e rasteve, e vetmja provë është dëshmia e dëshmitarëve, kujtimet e të cilëve po veniten dhe ata po plaken dhe vdesin me kalimin e kohës», paralajmëroi Blakaj.

Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës ishte një nga arsyet pse u ngrit në Holandë Gjykata Speciale e Kosovës për të gjykuar krimet e dyshuara të luftës të kryera nga liderët e UÇK-së dhe të tjerë në periudhën 1998-2000. Gjykata nuk ka ngritur ende aktakuza.

Disa nga stafi i EULEX-it pritet të qëndrojnë në Kosovë deri në nëntor për të mbikëqyrur fundin e periudhës së tranzicionit, por ende nuk është e qartë se sa njerëz do të qëndrojnë për të ndihmuar Dhomat e Specializuara.

EULEX tha se ende nuk ka një vendim për rolin e tij të mundshëm përtej qershorit 2018, ndërsa Ministria e Drejtësisë e Kosovës thotë se përkufizimi i plotë i mandatit të ardhshëm të EULEX-it po shqyrtohet nga autoritetet e Prishtinës. «Gjatë periudhës së ardhshme, secila prej përgjegjësive të EULEX-it në lidhje me formatin e tij dhe stafin që do të jetë i pranishëm në Kosovë do të sqarohet siç duhet», tha ministria.

Fundi i mandatit të EULEX-it nënkupton gjithashtu se Kosova duhet të ndryshojë disa ligje që lidhen me misionin – një proces që Ministria e Drejtësisë këmbënguli nuk do të prishë procedurat gjyqësore në vend. «Ne kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u siguruar që fundi i mandatit të EULEX-it nuk do të shkaktojë ndonjë deficit në zbatimin e ligjit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë», tha ministria. (BIRN, kallxo.com)