Kosova koordinohet me shtetet e Kuintit për anëtarësim në UNESCO

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka pritur të martën në takim pune ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për proceset e tjera integruese.




Selimi falënderoi ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në UNESCO dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kërkoi vëmendje të shtuar ndaj gjuhës negative dhe pozicionit tejet negativ të Serbisë që rrezikon edhe vet procesin e normalizimit.

«Selimi u zotua për vazhdimin e fushatës pozitive të Republikës së Kosovës, duke përfshirë angazhimin e të gjithë aktorëve relevantë në mesin e të cilëve edhe mediet, universitetet, institucionet shkencore e kulturore, shoqëria civile e kështu me radhë», thuhet në njoftimin për media të MPJ-së, raporton Koha.net.

Zëvendësministri tha se pret që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s të votojë gjatë këtij muaji rezolutën për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Në takim, në të cilin i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së për trashëgimi kulturore, janë diskutuar edhe tema të tjera, përfshirë integrimet në komunitetin euro-atlantik dhe në organizata të tjera multilaterale.