Kosova kërkon marrëveshje me Serbinë për ndërtimin e lagjes në veri

Asnjë ndërtesë individuale apo kolektive në Republikën e Kosovës nuk mund të realizohet në kundërshtim me ligjin, shkruan Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor teksa lidhet me ndërtimin e shtëpive për të kthyerit nga Qeveria e Serbisë në veri.




«Përkitazi me projektin e paralajmëruar të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e lagjes për të kthyerit në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, MMPH thekson se ky projekt nuk mund të zbatohet pa marrëveshje ndërshtetërore, si dhe pa miratimin nga ana e MMPH-së të planeve zhvillimore komunale dhe hartave zonale të këtyre komunave», shkruan MMPH në komunikatën e tyre, transmeton Koha.net.

Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Komuna e Zveçanit, si dhe çdo komunë tjetër në Republikën e Kosovës, sipas ministrisë, duhet fillimisht të miratojnë dokumentet e sipërpërmendura të planifikimit hapësinor, pastaj të paraqesin për miratim propozime që janë konform tyre.

Ministria e bënë të ditur përsëri se çdo aktivitet ndërtimor në kundërshtim me ligjin do të sanksionohet.

«MMPH rikonfirmon se çdo aktivitet ndërtimor që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, do të sanksionohet në bazë të dispozitave përkatëse ligjore», përfundon komunikata ministrore.