Kosova kërkon anëtarësim ndërkombëtarizimin e Vulës Apostile

Ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami takoi sekretarin gjeneral të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private (HCCH), Christophe Bernasconi, me të cilin diskutoi për mundësitë e inicimit të anëtarësimit të Kosovës në Konventën e Hagës për Vulë Apostile.




Bajrami tha se një nga objektivat kryesore strategjike për MTI-në dhe Qeverinë e Kosovës është që të përmirësojë klimën e biznesit në Kosovë, në mënyrë që të krijohet ambient sa më tërheqës për investimet e huaja direkte në Kosovë.

«Prandaj, duke u bërë pjesë e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë siç është edhe Konventa e Hagës për Vulë Apostile, do të përmirësohen kushtet e të bërit biznes për kompanitë e huaja që të investojnë në Kosovë, por edhe për qytetarët e Kosovës që të punojnë dhe udhëtojnë ligjërisht dhe pa kufizime», citohet të ketë thënë Bajrami, raporton Koha.net.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se me pranimin e Kosovës në Konventën e Hagës për Vulë Apostile do të thjeshtësohet procesi i gjatë i legalizimit të dokumenteve. Kjo do të forcojë më tej sektorin privat në Kosovë dhe do të lehtësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.