Kosova ka ngritur kapacitetet kundër rreziqeve nga terrorizmi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Rajonale me temë «Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore».

Para të pranishmëve, kryeministri ka ritheksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike.

«Organizimi i Konferencës Regjionale për Siguri Nukleare në Kosovë është rasti më i mirë që përfaqësuesit e shteteve të regjionit të shkëmbejnë praktikat më të mira të mbrojtjes të materialeve bërthamore, të iniciojnë progres në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në regjion me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kërcënimeve ndaj sigurisë bërthamore dhe radiologjike», tha kryeministri.

Mustafa tha po ashtu se Kosova, nëpërmes asistencës profesionale të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ka ngritur kapacitetet institucionale për të parandaluar dhe luftuar rreziqet që vijnë nga terrorizmi dhe kërcënimet eventuale ndaj sigurisë bërthamore.

Më tej, kryeministri foli për hapat konkret në shumë dimensione që Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Sigurisë Bërthamore, ka ndërmarrë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.

«Ritheksoj përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit, si një e keqe globale të cilën vetëm së bashku ne mund ta mposhtim», tha kryeministri Mustafa.