«Kosova ka kompani dinamike»

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën » Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe kërkesat e tregut të BE-së për sektorin metal-përpunues»e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me UNDP-në, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Tryeza kishte për qëllim informimin e bizneseve nga sektori metal-përpunues rreth zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Bajrami në fjalën e saj tha se Kosova ka një numër të kompanive dinamike të sektorit të metal-përpunimit dhe se ato ndahen në kompani mikro dhe të vogla, si dhe kompani të mesme dhe të mëdha.

Ajo nënvizoi se kompanitë e përpunimit të metalit punësojnë rreth 1.5 për qind të totalit të të punësuarve në vend, kurse struktura e eksporteve të Kosovës vazhdon të dominohet nga kategoria e metaleve bazë.

«17 për qind e kompanive të përpunimit të metalit, arrijnë të realizojnë eksport. Kompanitë e mesme dhe të mëdha janë të orientuara kryesisht në eksporte, ndërsa ato mikro dhe të vogla i shesin gati të gjitha mallrat e tyre në tregun vendor,» theksoi Bajrami.

Firmat e këtij sektori po kërkojnë mënyra për të zgjeruar veprimtarinë e tyre dhe për t’u bërë eksportues, por ato duhet të tejkalojnë një numër sfidash që të bëhen konkurrente për eksport si: investimet e mëtejme në teknologji – blerja e makinerive dhe modernizimi i procesit të prodhimit, tha ministrja Bajrami.

Sipas ministres Bajrami, të dhënat tregojnë se rezultatet e reformave të qeverisë për të krijuar politika fiskale të favorshme dhe stimuj tjerë po reflektojnë pozitivisht në këtë sektor.