Kosova ka ende shumë asete të paprivatizuara

U shqyrtua raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015.




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Muhamet Mustafa kryetar, shqyrtoi raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – AKP-së, transmeton Koha.net.

Kryetari i këtij komisioni, z.Mustafa, shtroi nevojën që problemet e AKP-së të analizohen më shumë në të ardhmen, dhe të ketë informata më shumë për spinofet speciale. Ai tha se duhet të i shiten asetet dhe njëkohësisht të ruhet vlera e tyre. Kërkoi që deri në shtator të miratohet një plan i detajuar për përfundimin e procesit të privatizimit dhe të likuidimit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të menaxhmentit te AKP-së , z.Avni Jashari, paraqiti raportin vjetor të AKP-se. Ai theksoi të arriturat dhe sfidat për gjatë vitit 2015. Ai përmendi përkushtimin e personelit të agjencisë në tejkalimin e sfidave të paraqitura, shpërndarjen e 20% për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore (për vendimin e marrë nga bordi i drejtorëve), rritjen e efikasitetit në kontrollimin dhe monitorimin e ndërmarrjeve shoqërore, ndërmarrjeve të shitura me spinof special si dhe ndërmarrjeve të privatizuar me kusht.

Ai tha se si pasojë e Bordit të pakompletuar të Drejtorëve të AKP-së, gjatë vitit 2015 ka pasur pak shitje të aseteve. Theksoi se më 2015 janë shqytar 7528 kërkesa kreditore në procesin e likuidimit, janë shpërndarë 8 milionë euro për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, si pjesë e 20% që iu takon sipas ligjit, duke bëre kështu që shifra totale e transferimit për 20% e punëtorëve të jetë 104 milionë euro. Ai theksoi se sa u përket aseteve të uzurpuara, deri në dhjetor të vitit 2015 kanë qenë 270 asete te shfrytëzuara pa kontratë, dhe gjatë kësaj periudhe janë liruar nga uzurpatorët 116 raste, dhe lirimi i këtyre aseteve po vazhdon edhe sot ne tërë Kosovën. Po ashtu ai tha se sfidat e AKP-së për gjatë këtij viti janë: numri i madh i aseteve të pashitura ende si dhe numri i madh i rasteve gjyqësore në procesin e likuidimit.