Kosova heziton të shembë murin serb në veri

Qeveria e Kosovës pritet të saktësojë se si do të procedohet me murin e ngritur nga autoritetet serbe në qytetin verior të Mitrovicës, pavarësisht një rezolute parlamentare që urdhëron shembjen e tij brenda janarit.

Mitrovicë, 2014. Foto: Giannis Papanikos / Shutterstock



Zyrtarët e Kosovës mbetet të shpjegojnë planin e tyre për murin dy metra të lartë që serbët e Kosovës kanë ngritur në anën veriore të lumit Ibër në qytetin verior të Mitrovicës.

Një rezolutë e lëshuar nga parlamenti i Kosovës më 23 dhjetor urdhëroi «që shkatërrimi i murit të jashtëligjshëm në pjesën veriore të Mitrovicës të bëhet brenda janarit 2017».

Bajram Gecaj, zv. ministër i qeverisë lokale i tha BIRN të hënën se autoritet do të vepronin sipas ligjit, por nuk saktësoi çfarë nënkuptonte kjo me terma konkrete.

«Çfarëdo që të ndodhë me murin në Mitrovicën Veriore, do të jetë sipas ligjeve të republikës së Kosovës», tha Gecaj për BIRN.

Pyetur nëse autoritetet do të vepronin sipas rezolutës, Gecaj u përgjigj: «Rezoluta nuk është ligj».

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të mërkurën përsëriti se muri duhet të hiqet në një farë mënyre ose autoritetet shtetërore do të veprojnë në kuadër të rezolutës parlamentare për ta hequr atë në fund të janarit.

Thaçi tha se «zgjidhja më e mirë» do të ishte nëse muri shembej nga ata që e ndërtuan atë, por shtoi se rezoluta parlamentare duhet të respektohet gjithsesi.

Kjo nuk është e para rezolutë e lëshuar nga parlamenti që mbetet e pazbatuar.

Vitin e shkuar, parlamenti lëshoi një rezolutë që kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit të policisë kosovare në zonën e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili u burgos në Serbi. Rezoluta u lëshua më 12 tetor. Thaçi u lirua më në fund më 1 nëntor.

Një rezolutë e lëshuar nga parlamenti në tetor 2016, ku përcaktohej lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si e drejtë dhe e ndershme është shpërfillur gjithashtu jashtë vendit.

Rezoluta e quajti atë «Lufta e armatosur e popullit të Kosovës, që mbrohet dhe gëzon mbështetjen e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës».

Pavarësisht nga kjo, ish-komandant i UÇK-së Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar në Francë bazuar në një urdhër të lëshuar nga Serbia e cila pretendon se ai ka kryer krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë.

(https://www.reporter.al/kosova-heziton-te-shembe-murin-serb-ne-veri/)