Kosova e Shqipëria i bashkohen garës së fotografisë «Wiki Loves Earth 2016»

A s'dilni kurrë në natyrë pa një aparat fotografik? A kërkoni për orë të tëra pasqyrimin më të bukur të sipërfaqes së liqenit dhe këndin në të cilin rrezet e diellit puqen me kurorat e pemëve? Nëse po, atëherë kemi një lajm për ju. Në qershor, përdoruesit shqiptarë të Wikipedia-s organizojnë garën e fotografisë «Wiki Loves Earth».




Për herë të parë gara u organizua nga Wikimedia Ukrainë në vitin 2013. Gjatë viteve, interesi për të është rritur vrullshëm: në vitin 2014, morën pjesë 15 vende, ndërsa në vitin 2015 numri ishte 26. Këtë vit garës i bashkëngjiten edhe Kosova e Shqipëria, transmeton Koha.net.

Qëllimi i fotografimit të zonave të mbrojtura dhe shpërndarja e fotografive nën një licencë të lirë është ilustrimi i artikujve në Wikipedia. Përveç kësaj, gara ka për qëllim rritjen e njohurive dhe ndjeshmërinë në lidhje me çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe burimeve natyrore. Pamjet e zonave, pamjet panoramike, pamjet nga ajri, formacionet shkëmbore dhe pemët qindra-shekullore, si dhe bimët dhe kafshët në mjedisin e tyre natyror, janë të gjitha të mirëpritura. Merren parasysh makrot artistike dhe kompozicioni. Si ndihmë, organizatorët e garës kanë vënë dispozicion listat e objekteve të trashëgimisë natyrore në Shqipëri dhe Kosovë, ku përfshihen parqet kombëtare, rezervatet natyrorë, zonat e mbrojtura, etj..

Konkursi zhvillohet në dy faza. Gjatë fazës së parë bëhet përzgjedhja kombëtare, e cila bashkërendohet nga vullnetarë lokalë të Wikipedia-s, duke përzgjedhur 10 fotografi, të cilat dërgohen në fazën ndërkombëtare të garës. Në të dytën zgjedhja është tepër e vështirë, edhe pse në mes një numri shumë më të vogël fotografish.

Kriteret sipas të cilave juritë vlerësojnë fotografitë janë: cilësitë teknike, origjinaliteti dhe vlera edukative. Ka edhe çmime që mbështesin pasionin e fotografisë.
Është e rëndësishme që fotografitë të shoqërohen me përshkrime të sakta të asaj që përmbajnë. Pjesëmarrësit duhet të marrin pjesë vetëm me fotot e tyre dhe t’i ngarkojnë ato nën një licencë të lirë në depon multimediale të Wikimedia-s, Wikimedia Commons. Nuk ka rëndësi kur janë shkrepur fotot.

Mësoni më shumë për garën në wikilovesearth.al, ku do të jeni në gjendje t’i ngarkoni fotografitë tuaja përgjatë muajit qershor.