Kosova e ndjen dorën e zgjatur të Rusisë përmes Serbisë

Opinioni i ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës është publikuar në gazetën prestigjioze amerikane «New York Times»

Foto: Shutterstock



Presidenti i ri serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë postit të mëparshëm të kryeministrit ka bërë fushatë me premtimin e rremë se dëshiron që Serbia t’i bashkohet Bashkimit Europian dhe se do të jetë fqinj i mirë me të gjithë. Asgjë nuk ka mundur të jetë më larg të vërtetës se këto. Serbia i ka hapur negociatat për t’iu bashkuar BE-së, por çfarë dimë dhe shohim është një Serbi që dita-ditës po heq dorë prej parimeve kryesore të BE-së. Riafrimi i Serbisë me Rusinë demonstron qartë se nuk ka dëshirë për solidaritet me stilin e Bashkimit Europian – duke nxitur destabilitet për të fituar fuqi në emër të rikthimit të stabilitetit.

Me këtë qasje, për rrjedhojë mund të pritet që Serbia të krijojë me porosi të Rusisë një sferë ndikimi, duke eksploatuar dhe nxitur pakicat serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, e deri në njëfarë shkalle edhe në Kroaci e Maqedoni – duke i lënë këto shtete në gjendje të brishtë që t’i dominojë – ndërkohë që vet do të ndjek rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian vetëm kur unioni është i shqetësuar me sfidat e brendshme të tij dhe kur rendi ndërkombëtar në vetvete i është ekspozuar paqartësive të panumërta.

Derisa Kosova është cak i Serbisë sepse përfaqëson lirinë prej pushtimit serb, është gjithashtu një përkujtues poshtërues për Rusinë për ditët kur në fund të luftës së vitit ’99, forcat e saj u munduan ta pushtonin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për t’u konfrontuar dhe zëvendësuar nga trupat e NATO-s. Përpjekjet e saj shkuan huq, ndërkohë që NATO-ja vazhdon të mbrojë Kosovën.

Strategjia e Serbisë kundër Kosovës është përdorimi i pakicës serbe për të kundërshtuar institucionet dhe për të provokuar tensione. Në këto taktika përfshihen edhe fushatat dezinformuese, përpjekjet për arrestimin ose ekstradimin e shtetasve dhe liderëve politikë kosovarë, dhe përpjekja për futjen e një treni me shenjat e mëdha «Kosova është Serbi». Kur Kosova ndali trenin, Serbia kërcënoi me dërgimin e ushtrisë në Kosovë.

Serbia vazhdon t’i mbajë aktivë agjencitë paralele për t’i shërbyer serbët brenda territorit të Kosovës, duke dëmtuar sovranitetin e brendshëm dhe duke mbajtur pezull integrimin e serbëve të Kosovës. Serbia përdor vizitat zyrtare të krerëve të saj në Kosovë për të bërë propagandë dhe përhapur antagonizëm etnik. Ka promovuar ndërtimin e një muri në Mitrovicë, që ta ndajë fizikisht qytetin verior në baza etnike dhe pengesa është hequr pas ngulmimit të qeverisë së Kosovës.

Provokime të ngjashme, mbështetur nga Rusia janë bërë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Z.

Mali i Zi, përjetoi një përpjekje për grusht shtet, që do t’i dridhte institucionet demokratike dhe do ta frenonte vendin në rrugëtimin për anëtarësimin në NATO, proces që po vazhdon.

Zhvillimi më shqetësues është militarizimi i shpejtë i Serbisë, me furnizim të sistemeve ajrore mbrojtëse nga Rusia, si dhe me pajisje të tjera të sofistikuara ushtarake. Ushtria e fuqizuar serbe shërben si mjet shantazhi paralajmërues për fqinjët, derisa Rusia i tregon muskujt për ndikim të saj në rajon.

Këto lojëra të rrezikshme gjeopolitike vijnë në kohën kur shtetet e Ballkanit duhet të jenë në rrugën e stabilitetit dhe përparimit. Në vend kësaj, Serbia po e bllokon këtë rrugë. Gjatë takimit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor muajin e kaluar në Sarajevë, u propozua një treg i përbashkët ballkanik. Por integrimi ekonomik rajonal nuk do të ishte i qëndrueshëm derisa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të mos e njohin Kosovën dhe të pranojnë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e saj të barabartë në të gjitha trupat rajonalë.

Politikat agresive të Serbisë prandaj devijojnë prej çdo zotimi të sinqertë për normalizim të raporteve me Kosovën. Janë në kundërshtim me integrimin evropian dhe përbëjnë kërcënim të ri të sigurisë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Pse iu është kthyer Serbia shprehive të vjetra ndërluftuese? Përveç bashkëpunimit me Rusinë, asnjëherë nuk është marrë si duhet me të kaluarën e saj gjenocidale. Serbia nuk ka gatishmëri të merret me krimet e luftës të regjimit të Milosheviqit, me të cilin ishin të lidhur shumë liderë të tanishëm nacionalistë të Serbisë. Mohimi i përgjegjësisë nga ana e tyre, për krimet e luftës në Kosovë vetëm sa e fuqizon këtë kulturë mosndëshkimi, që në fakt inkurajon Serbinë të rritë fuqinë e saj ushtarake, sfidon rrugën e integrimit europian dhe plotëson rolin e saj si gardë e avancuar e Rusisë.

Siguria e rajonit tonë nuk mund të garantohet duke rritur fuqinë ushtarake dhe futur në grackë vendet fqinje. Siguria mund të garantohet vetëm me zotim të përbashkët për integrimin euroatlantik dhe paqen demokratike.

Andaj është e rëndësishme për të gjithë ta shohin Serbinë ashtu si është, e jo siç pretendon se është. Është e rëndësishme të merret vesh se Rusia po e përdor Serbinë në skemën e madhe të saj në terren për të rikthyer fuqinë. Por provokimet e këtyre dy shteteve kundrejt rajonit nuk mund të minimizohen ose injorohen. Ato veprime paraqesin kërcënimin më serioz jo vetëm për rajonin, por edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, Kosova vazhdon të mbetet e zotuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe përkrahur prej Shteteve të Bashkuara. Kjo është rruga e vetme për promovimin e bashkëpunimit – dy shtetet e pavarura që përparojnë në integrimin euroatlantik dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre.

Prapëseprapë Serbia vazhdon të kërkojë zgjerim përtej kufijve të saj, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur të marrë masat e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Rusia jo vetëm që përkrah ambiciet e Serbisë, ato madje i harton nën tavolinë. Rusia asnjëherë nuk ka qenë e mirëpritur si ndërmjetësuese në Ballkan.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar në promovimin e demokracisë, rindërtimit dhe sigurisë njerëzore, ndërkaq Rusia investon në promovim të autoritarizmit, shkatërrimit dhe pasigurisë njerëzore. Andaj është detyrë për Shtetet e Bashkuara, BE-në dhe NATO-në të zbatojnë të gjitha masat e domosdoshme paqësore dhe frenuese për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. Prania e vazhdueshme e NATO-s në Kosovë është kyç jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin.

Duhet zbatimi i diplomacisë parandaluese botërore që Ballkani të bëjë hapin e fundit të madh drejt paqes së qëndrueshme dhe të parandalohet fitorja e forcave më të errëta të rajonit.