Kosova e kapur nga sundimtari Erdoan

KOMENT I «TAGESZEITUNG», BERLIN - Rusia dhe Turqia po ndjekin synime të ngjashme. Ato po përpiqen të kenë më shumë ndikim në Ballkan. Perëndimi nuk duhet të sillet sikur kjo nuk i intereson.




Se me çfarë guximi presidenti turk Rexhep Taip Erdoan pretendon të ushtrojë pushtet ka mundur të shihet ditëve të fundit në Kosovë. Ky sundimtar nuk duron kundërshtim. Erdoan nuk mund ta pranojë se nuk po pëlqehet dëshira e tij për rrëzimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kundërshtoi deportimin e anëtarëve të Gülenit. Erdoan dëshiron të hakmerret.

Konstitucioni psikologjik i sundimtarit tjetër të rëndësishëm për Kosovën në Moskë në të vërtetë nuk mund të krahasohet me atë të Erdoanit. Putini duket më racional, më taktik, më i kujdesshëm, atij i mungojnë shpërthimet nga tërbimi dhe paparashikueshmëria. Por të dy ndjekin synime të njëjta – me këmbëngulje dhe pa iu trembur syri. Synimi është që nga të dy anët të fitohet më shumë ndikim në Ballkan.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Njëri dëshiron të prezantohet si fuqi mbrojtëse e myslimanëve ballkanikë në Kosovë, Sanxhak dhe Bosnjë-Hercegovinë. Tjetri qëmoti është pranuar si fuqi mbrojtëse e të krishterëve ortodoksë. Para së gjithash në Serbi, pjesërisht në Greqi, Bullgari dhe Rumani. Të dy duan të zgjerojnë ndikimin. Herët apo vonë kjo do të shkaktojë konflikte mes dy sundimtarëve – në Kosovë dhe në Bosnjë.

Putinin dhe Erdoanin ende i bashkon kundërshtimi i tyre ndaj Perëndimit, BE-së, vlerave perëndimore. Kundërshtimi i liberalizmit demokratik, martesave homoseksuale, të drejtave të njeriut, lëvizjes së grave dhe qëndrimeve të tjera dekadente perëndimore. Të dy e konsiderojnë familjen, fenë, hierarkinë dhe parimin e udhëheqësit si pjesë të pashmangshme të sundimit të tyre. Kundërshtimi nuk durohet.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Në Kosovën e varfër tani një pjesë e madhe e popullsisë po e kupton se çka domethënë të jesh i nënshtruar nga një sundimtar. Vetëm Europa perëndimore duhet se nuk po e kupton sa afër ka ardhur rreziku. Brukseli dhe rrjedhimisht Gjermania dhe Franca janë të thirrura t’i marrin frerët në dorë në Ballkan. Ende nuk është vonë. Tani seriozisht duhet të mbrohen vlerat tona.