Kosova e do dialogun me Serbinë, si dy shtete të pavarura

Përmes një komunikate për medie, Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për të avancuar rrugën integruese evropiane, si dhe gatishmërinë për të vazhduar procesin e dialogut me Serbinë, si dy shteteve të pavarura.




Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kësaj komunikate ka vlerësuar rëndësinë e takimit që kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministren Edita Tahiri dhe ministrin Bekim Çollaku, kanë zhvilluar sot me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, transmeton Koha.net.

Theksohet se gjatë takimeve është biseduar për proceset integruese të Kosovës, nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, liberalizimin e vizave, si dhe për nevojën e vazhdimit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-të.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shprehur përkushtimin e saj për të avancuar rrugën integruese evropiane, si dhe gatishmërinë për të vazhduar procesin e dialogut ndërmjet dy shteteve të pavarura, për tema të interesit të dyanshëm.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka shprehur përkushtim të plotë për përmbushjen e obligimeve të saj kushtetuese e ligjore dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që lidhen me këto procese të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës, në përputhje me përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për integrime euroatlantike dhe partneritet të vazhdueshëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së.