«Kosova do bashkëpunim ndërkombëtar për luftimin e krimit të organizuar»




Sot në Prishtinë është mbajtur konferenca rajonale në temën: «Hetimi dhe ndjekja e trafikimit ndërkufitar të narkotikëve dhe krimit të organizuar». Konferencën e ka organizuar Ambasada Amerikane në Prishtinë.

 

Në konferencë ka folur edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kryeprokurori, pasi ka përshëndetur të pranishmit ka thënë se «jemi mbledhur së bashku për të rritur mirëfunksionimin e organeve të ndjekjes, për të treguar se jemi të motivuar për të afirmuar bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht midis vendeve të rajonit, si dhe përmbushjen e standardeve evropiane për të përmirësuar qasjen ndërnacionale edhe të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, njofton kumtesa nga Kryeprokuroria, transmeton Koha.net.

Lumezi ka vazhduar se me qëllim të luftës më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, krimeve të luftës dhe pastrimit të parave, në Kosovë është themeluar edhe Prokuroria Speciale, si prokurori e posaçme në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, e cila ka kompetencë dhe përgjegjësi për t’i zhvilluar hetimet dhe ndërmarrë ndjekjen penale për krimet më të rënda që janë në kompetencë të veçantë dhe plotësuese në gjithë territorin e Kosovës.

Kryeprokurori ka theksuar se bashkëpunimi i Kosovës me organizatat relevante rajonale dhe organizatat ndërkombëtare si dhe me Prokuroritë dhe Agjencionet Policore të rajonit është e një rëndësie të madhe në luftën kundër të gjitha formave të krimit ndërkombëtar, sidomos kundër atyre të cilët paraqesin rrezikun më të madh për siguri, liri dhe drejtësi siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar.

Ne jemi të përkushtuar që në të ardhmen të forcojmë bashkëpunimin me prokuroritë dhe policitë e vendeve të rajonit, si dhe me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë partner seriozë në përpjekjet tona në luftën kundër dukurive kriminale përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, por edhe përmes rrugës joformale, ka thënë ndër të tjera Lumezi.