Kosova dhe serbët: gati askush nuk dëshiron të përkundet në «djepin e kombit»

Çfarë tregojnë anketat: vetëm çdo i dhjeti serb është i gatshëm të luftojë për Kosovën, ndërsa 80 për qind e të anketuarve thonë se kurrë nuk i kanë vizituar bashkëkombësit e tyre në Kosovë.

Presidenti serb Tomislav Nikoliq dhe Aleksandër Vuçiq nga këndvështrimi i karikaturistit Predrag Koraksić - Corax.



Në legjenda gjithçka është e qartë: «Kosova është djep i Serbisë», «qendër e kulturës dhe kombit serb», «zemra e Serbisë», «dy sytë në ballin e Serbisë». Dhe kështu me radhë. Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, i cili po i numëron javët e fundit në post (kryeministri Aleksandër Vuçiq të martën faktikisht shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale në prill), muajin e kaluar, kur u ndezën tensione mes Beogradit dhe Prishtinës rreth trenit nacionalist, pra në atë kohë vojvoda çetnik Nikoliq kërcënoi me intervenim të ushtrisë së Serbisë në Kosovë. Madje Nikoliq u përbetua se me vete do të merrte edhe dy djemtë e tij për të «mbrojtur serbët në Kosovë». Kjo deklaratë e tij ngjalli fantazinë edhe ashtu tejet kreative të serbëve urbanë për t’u tallur me një president të padenjë për të qenë president. Një president që shkathtësi të vetme kishte pjekjen e rakisë dhe ndërtimin e vilës në periferi të Beogradit pa respektuar procedurat e ndërtimit.

A është Kosova «djep i Serbisë»? Si qëndron puna me realitetin? Një përgjigje të esëllt këto ditë e ka dhënë një anketë e publikuar nga mediat serbe. Pak para nëntë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës anketa e Qendrës për Politikë të Sigurisë në Beograd tregoi se shumica dërmuese e serbëve të sotëm kurrë nuk kanë pasur dhe nuk kanë kontakte të ngushta me Kosovën, me «krahinën e Kosovës dhe Metohisë», siç preferojnë ta quajnë mediat dhe nacionalistët serbë. 80 për qind e të anketuarve deklaruan se kurrë nuk i kanë vizituar familjarët apo miqtë në Kosovë. Gati po aq thanë se nuk kanë qenë kurrë në Kosovë.

Për Tomislav Nikoliqin dhe jo vetëm për të befasi e madhe mund të jetë edhe ky rezultat i anketës: 73 për qind e qytetarëve të Serbisë nuk janë të gatshëm të luftojnë për Kosovën. Vetëm dhjetë për qind e të anketuarve thanë se do të luftonin për Kosovën. Kjo i bie: vetëm çdo i dhjeti serb është i gatshëm të hidhet në aventura të luftës për Kosovën. Nikoliq nuk mund të llogarisë as në përkrahjen e anëtarëve të partisë së tij të ashtuquajtur progresive SNS për ta kthyer Kosovën «në gjirin e Serbisë». 70,6 për qind e anëtarëve të SNS-së janë kundër çdo ballafaqimi me armë me shqiptarët e Kosovës.

Përse u bë zhurmë e madhe luftënxitëse javëve të fundit? Nikoliq përpiqej ta poziciononte veten si kandidat për zgjedhjet presidenciale, duke mobilizuar edhe shtresat nacionaliste. Vuçiq kishte interes ta linte Nikoliqin të krekoset si nacionalist dhe në fund ta linte të zhveshur para publikut, duke e ndalur në Rashkë trenin që ishte nisur për të hyrë triumfalisht në Kosovë. Pjesën tjetër të lojës e luajtën edhe politikanët e Kosovës, më saktë presidenti i vendit, i cili i përvetësoi të gjitha meritat për «ndaljen e trenit», pastaj s’pushoi së telefonuari me Vuçiqin – në emër të pajtimit dhe përqafimit fqinjësor. Në vazhdën e këtyre maskaradave politike duhet të shihet edhe nisma e kryetarit të Kosovës për «pajtim me serbët». Lojëra ballkanike për miletin shqiptar dhe serb të lodhur nga varfëria dhe të kalitur në mjerim, luftëra e konflikte.

Kujt, në të vërtetë, i takon Kosova? «Pronarit të deleve i takon edhe livadhi». Kështu, pak a shumë, ishte përgjigjur patriarku serb Pavle kur e kishin pyetur se çfarë mendon për Kosovën. Pavle ishte nacionalist, por edhe realist. Për dallim nga bashkëkombësit e tij ai kishte jetuar me vite në Kosovë dhe e njihte situatën në terren. Ai e dinte të kujt janë delet. Një popi a prifti i lejohet që nga pikëpamja e krishterë besimtarët t’i quajë grigjë. Politikanëve, ndërkaq, nuk u lejohet t’i trajtojë popujt e tyre si një tufë delesh – pa marrë parasysh çfarë emrash kanë këta politikanë.