Kosova dhe Kroacia bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Një delegacioni i zyrtarëve shëndetësorë nga Kroacia nën udhëheqjen e dr. Siniša Varga, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kroacisë dhe profesionistë të tjerë nga Kroacia gjatë vizitës që i kanë bërë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë biseduar në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, njofton kumtesa nga QKUK.




Në takim ishin prezentë edhe Ambasadori i Kroacisë në Kosovë Z. Zoran Vodopija, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Dr. Curr Gjocaj, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, dr. Sali Ahmeti dhe drejtorë të klinikave nga QKUK dhe Kroacia, transmeton Koha.net.

Në fjalën e rastit, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Dr. Sali Ahmeti tha se bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve shëndetësorë nga Kosova dhe atyre nga Kroacia ka qenë i kamotshëm.

“Bashkëpunimi ynë ka qenë i kamotshëm dhe miqësor që nga themelimi i Fakultetit të Mjekësisë, madje edhe në periudha më të vështira, tani kemi rastin që ky bashkëpunim të mos jetë vetëm individual, por edhe institucional”, u shpreh dr. Ahmeti.

Dr. Siniša Varga, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë tha se është i njohur për vizitat e shpeshta të kolegëve nga Kosova në Kroaci. “Jam i njohur me vizitat e mjekëve nga Kosova, Kroacia ka krijuar një eksperiencë në sigurime shëndetësore, por edhe në arsim dhe ne mund të mbështesim kolegët tanë”, tha dr. Varga.

Ai theksoi se kanë ardhur në Kosovë për të dëgjuar nevojat që ka shëndetësia kosovare dhe për të thelluar bashkëpunimin dy palësh, mes dy shteteve.