Korrupsioni vazhdon të mbetet i lartë në Ballkan, thotë raporti i TI

Organizata monitoruese Transparency International në raportin e saj më të fundit mbi perceptimin e korrupsionit në botë sugjeron për një nivel të lartë korrupsioni në shtetet e Ballkanit.

Harta e Europës tregon vendet më pak të korruptuara me të verdhë dhe vendet me korrupsion më të lartë me të kuqe. Foto: TI.



Transparency International të mërkurën publikoi raportin global në perceptimin e korrupsionit në shoqëri, ku u bë e dukshme se qeveritë në shtetet e Ballkanit kanë shumë punë për të bërë për të çrrënjosur korrupsionin. Maqedonia u veçua si një nga vendet ku situata është përkeqësuar më tepër vitin e fundit.

Kërkimi për Indeksin e Perceptimeve të Korrupsionit 2016 rendit në total 176 vende nga 0 (me perceptimin e korrupsionit si më të lartin) në 100 (ku korrupsioni perceptohet si më i ulëti), sipas vlerësimit të ekspertëve dhe sondazheve të opinionit.

Nga vende të tjera të Ballkanit, Kosova doli më keq me 36 pikë, pasur nga Maqedonia me 37 dhe Bosnja-Hercegovina dhe Shqipëria me 39 pikë.

Bullgaria anëtare në BE mori 41 pikë dhe Serbia 42.

Shtetet e Ballkanit me perceptim më të ulët të korrupsionit janë Mali i Zi me 45 dhe dy vendet e tjera në BE, Rumania me 48 dhe Kroacia me 49.

Kosova dhe Shqipëria janë përmirësuar më shumë nga indeksi i një viti më parë, me nga tre pikë secila.

Rumania dhe Serbia u përmirësuan me dy pikë secila, ndërsa Bosnja dhe Mali i Zi u përmirësuan me nga një pikë.

Bullgaria mori të njëjtën sasi pikësh si vitin e shkuar, ku Kroacia ra me dy pikë.

Maqedonia, e cila ra me pesë pikë, listohet mes dhjetë shteteve që regjistruan rënien më të madhe vjetore në indeksin global.

Në shkallë globale, shtetet me korrupsionin më të ulët të perceptuar janë Danimarka dhe Zelanda e Re me 90 pikë, pasuar nga Finlanda me 89 pikë.

Somalia me dhjetë pikë, Sudani Jugor me 11 dhe Koreja e Veriut me 12 pikë janë shtetet me nivelin më të lartë të korrupsionit në botë.

Raporti i Transparency International paralajmëroi se në shkallë globale «korrupsioni sistematik dhe pabarazia sociale forcojnë njëra-tjetrën, duke çuar në zhgënjim popullor ndaj establishmenteve politike dhe duke ofruar një terren pjellor për ngritjen në pushtet të politikanëve populistë».

Raporti tha se ekzistonte «një rreth vicioz mes korrupsionit, shpërndarjes së pabarabartë të pushtetit në shoqëri dhe shpërndarjes së pabarabartë të pasurisë».

«Në shumë vende, njerëzit nuk kanë nevojat bazë dhe shkojnë në shtrat çdo natë të uritur për shkak të korrupsionit, ndërsa të fuqishmit dhe të korruptuarit shijojnë stil jetese luksoz pa u dushkuarr», tha në një deklaratë Jose Ugaz, kreu i Transparency International.

TI paralajmëroi se ngaqë njerëzit janë «ngopur» me premtimet e politikanëve për të zgjidhur korrupsionin, ata i kthehen liderëve populistë që e bëjnë problemin më keq.

«Në vendet me liderë populist apo autokratik, ne shpesh shohim demokracitë në rënie dhe një model shqetësues të përpjekjeve për të shkatërruar shoqërinë civile, për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit. Këta liderë zakonisht instalojnë forma edhe më të këqija të sistemeve të korruptuara», tha Ugaz.

«Vetëm aty ku ka liri shprehjeje, transparencë në të gjitha proceset politike dhe institucione të forta demokratike, mundet që shoqëria civile dhe media të vërë përpara përgjegjësisë ata që kanë pushtetin dhe të luftohet me sukses korrupsioni», shtoi ai.

(https://www.reporter.al/korrupsioni-vazhdon-te-mbetet-i-larte-ne-ballkan-thote-raporti-i-ti/)