Kori e Petrit Çeku bëjnë histori me vepra kolosale të muzikës shqipe

Përmes veprave korale janë përthekuar dhjetë shekuj të krijimtarisë muzikore shqiptare. Ka qenë një udhëtim nëpër historinë e muzikës shqipe, e jo vetëm për këtë, koncerti i së hënës mbrëma është cilësuar historik.




Pjesa e parë u karakterizua me vepra sakrale që në vete bartin edhe një copë të rëndësishme të muzikologjisë shqiptare. Koncerti i Korit të Filarmonisë së Kosovës, solli vepra premierë dhe kjo ka qenë njëra prej arsyeve për epitetin «ngjarje historike», shkruan sot «Koha Ditore». Por kjo nuk ishte e tëra. Pjesa e dytë e kësaj ngjarjeje ishte e rezervuar për risi të tjera. Bashkë me Korin në skenë u ngjit kitaristi i kosovar, tashmë i njohur ndërkombëtarisht, Petrit Çeku.

Me dy vepra – njëra premierë për publikun dhe tjetra premierë për të – ai shpalosi virtuozitetin prej një kitaristi të shkëlqyer. Emocioni, ndjenja dhe përkushtimi nuk munguan as kësaj radhe. Ndonëse në një kombinim jo të zakonshëm midis Korit dhe kitarës, Çeku arriti që të futet në botën e tij muzikore dhe të akordohet me mjeshtri me zërat e koristëve. Para se ai të dilte para publikut në skenën e improvizuar në anën e djathtë të Katedrales «Nëna Terezë» në Prishtinë, dirigjenti dhe kompozitori i njohur kosovar, Rafet Rudi, ka dhënë «urdhrin» e parë. Vepra «Te Deum» e Niketë Dardanit, hapi këtë mbrëmje e cila u mbajt në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës «ReMusica».

Kjo vepër e shkruar në shekullin IV, ndryshe njihet edhe si himni bazë dhe simbol i krishterimit në trojet shqiptare. Ani pse e tillë, kjo vepër nuk është kënduar më parë. Prandaj futjen e kësaj vepre në program, Rudi, e ka konsideruar si «moment historik». E rëndësishme është konsideruar edhe vepra «Chorals» e kompozitorit, reformatorit që ndryshe konsiderohej edhe «Perandori i dytë i kulturës muzikore bizantine», Jan Kukuzelit. Ndryshe nga dy veprat e para të cilat erdhën me formacion të plotë, «Antiphonarium» e Gjergj Danush Llapacajt, pati si solistë sopranon Kaltrina Miftari, tenorin Liridon Sadriu dhe mexosopranon Diellza Sylejmani.

Në një përshkrim që Rudi i ka bërë kësaj vepre, thuhet se me zbulimin e veprave muzikore të Llapacajt nga muzikologu italian Domenico Morgante, një dekadë më parë, «historiografia shqiptare ka gjetur, përfundimisht të gjitha ‘hallkat munguese’, të cilat dëshmojnë se Shqipëria muzikore ecte me të njëjtin hap me atë të Evropës kristiane». Aty po ashtu thuhet se me zbulimin e dorëshkrimit, «Antiphonarium» që daton nga viti 1532, konfirmohet prejardhja arbëreshe e autorit.

«Është pikërisht Kori i Filarmonisë së Kosovës, ansambli i parë ndër shqiptarët, që i realizon këto vepra kolosale të kulturës sonë», ka shkruar Rudi. Ndërkohë që në rrumbullakimin e pjesës së parë të programit kushtuar muzikës sakrale shqiptare ndër shekuj, hyri edhe vepra e kompozitorit të ri Memli Kelmendi, «Agnus Dei», vepër e cila deri më tani është interpretuar në disa vende të botës. E përveç veprave të kompozitorëve shqiptarë, në këtë pjesë u interpretuan edhe tri kohë nga njëmbëdhjetë sa ka gjithsej vepra «A ceremoni of carols» e Benjamin Brittenit.

Kur Petrit Çeku iu bashkuar Korit, së pari interpretoi veprën «Deti i varreve të hapura» të kompozuar nga vetë Rudi. Kjo vepër e inspiruar nga poezia, e Eqrem Bashës e cila edhe pse i dedikohet tragjedisë që përjetuan arbëreshët gjatë ikjes së tyre nga Shqipëria, kur deti për ta u shndërrua në varr, sjell një histori që tash përkon edhe me tragjeditë që sot po ndodhin me refugjatët sirianë. Çeku e solli për herë të parë ashtu sikurse edhe veprën e fundit në program e cila po ashtu e gjen inspirimin nga një poezi.

Me Korin ai realizoi veprën atraktive «Romancero Gitano» të kompozitorit Mario Castelnuovo –Tedesco, një vepër shumë e rrallë nga gjinia, e ndërtuar prej shtatë kohësh dhe që bazohet në poezitë e Garcia Lorcës nga përmbledhja e famshme të «Poema del Cante Jondo». Kompozitori ishte mik i poetit dhe vepra lindi pikërisht si fryt i kësaj miqësie. Ndoshta si asnjë vepër tjetër, në veprën «Romancero Gitano» gërshetohen poezia dhe muzika.

«Ai arrin që tërë poetikën e veprës së Lorcës ta transformojë besnikërisht në pikë tingujsh», ka shkruar Rudi.

Vetë Çeku nuk ka dashur të prononcohet pas koncertit, por kompozitori Fahri Beqiri e ka vlerësuar interpretimin e tij.

«Koncerti sonte ishte i gërshetuar me lloj-lloj stilesh, nga mesjeta deri tek modernia. U kënaqa edhe me kompozimin e Memli Kelemdit ‘Agnus Dei’. Mbi të gjitha më la shumë përshtypje puna profesionale e Rafet Rudit si dirigjent dhe e kitaristit Petrit Çeku, i cili ka qenë i mrekullueshëm», ka thënë kompozitori Fahri Beqiri.

Ndërsa Rudi, pas koncertit ka thënë se programi ishte i sajuar me kujdes në kuptimin që pjesa e parë e programit i takonte muzikës së vjetër shqipe që nuk është realizuar asnjëherë në tokat shqiptare.

«Është përfshirë një diapazon kohorë prej dhjetë shekujsh, nga Niketë Dardani deri tek Llapazai», ka thënë Rudi, duke shfaqur shpreson se ky koncert do të ketë shërbyer si inspirim për koristët por edhe për publikun.