Korbi

Edgar ALLAN POE.



Një mes – nate të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa prralla dhe magjira
Të një shkence te harruar,
Tek dremitnja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’odës sime.
«Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mi derën time-
Vetëm kjo, dhe asgjë më.

Ah, e mbanj nër ment fort mirë,
Ishte dimr’ i ftoht’ i ngrirë,
Dhe n’oxhakun shkrump të nxirë
Urët shuheshin në hi.
Desha të gëdhihej dita,
Se më kot nga librat prita
Të më ngushëllonte drita
Për të lumurën Lenorë,
Vajz’ e rrallë dhe rezore,
Q’i thon’ Engjëjtë Lenorë,
Përmi dhe pa emër më.
Era frynte që përjashta,
Rrihte perdet e mëndafshta
Dhe me ngjethte dhe më derthte
Tmerre që s’ i ndjeva kurrë.
Dhe tani që të pushonte
Zemr’ e mjerë që lëftonte,
Goja po me belbëconte:
«Dikush do të hynjë brenda;
Nonjë vizitor i vonët
Që kërkon të hynjë brenda.
Kjo do jet’ e asgjë më».
Mblodha veten menjëherë
Edhe frikë më pa ndjerë:
«Zot, i them, a Zonjë, fajin
Ndjemani, ju lutem shumë,
Se per Zotin po dremitnja,
Aq ‘ e hollë ish trokitja
Aq ‘ e lehtë ish goditja
Përmi derë t’odës sime
Sa mezi ma zuri veshi.»
Dhe e hapa derën sheshit,
Errësirë ‘ e asgjë më.
* * *
«Mbyll-e gojën, dreq a shpëndë!
Ngrihem dhe thërres me këmbë,
Çporru prap mun në djall,
Në skëterrë dhe në zall!
Pëndë mos më shkunt të zezë
Të më rrej ‘ e të më ndezë;
Mos ler shenjë të gënjeshtrës
Që më the, po shko prej derës!
Nxirr-m’a qipin tënt prej zemrës
Thyej qafën jashtë derës!»
Thotë Korbi: «Kurrë më».
Edhe Korb’i zi i humbur
Qëndron edhe i patundur
Mi të zbetin bust Pallade
Mun mi derë t’odës sime.
Edhe sytë i shkëndritnin
Si prej djajsh që ëndërritin
Edhe llamba që ndrit sipër
Ja heth hien përmi dhe;
Shpirti im nga ajo hie
Që valon atje mi dhe
Do mos ngrihet – kurrë më.