Koraq: «Dodiku është armë e Putinit për të destabilizuar Ballkanin»

Zharko Koraq, profesor i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe deputet i pavarur në Kuvendin e Serbisë, shpjegon se pse Beogradi dhe Moska zyrtare e mbështesin Milorad Dodikun, cila është përgjegjësia kroate, e çfarë ajo e korpusit politik boshnjak për situatën aktuale në Bosnjë-Hercegovinë, dhe pse, në rastin e radikalizmit të krizës, nuk e përjashton mundësinë e konflikteve të reja në Ballkan: «Është e qartë se Bosnjë-Hercegovina sot përballet me krizë serioze politike, të cilën edhe më shumë e thellon referendumi në Republikën Serbe, i planifikuar për më 25 shtator», thotë Zharko Koraq.

Zharko Koraq.

Çfarë dobie ka Milorad Dodik nga caktimi i referendumit për shënimin e Ditës së Republikës Serbe?

Zharko Koraq: Nuk besoj që koincidenca e datave të caktuara mund të jetë e rastësishme. Në fakt, i vetëdijshëm se në disa komuna rejtingu po i bie në mënyrë drastike, Dodik e ka caktuar referendumin për Ditën e Republikës Serbe në prag të zgjedhjeve lokale; pa i përjashtuar as zgjedhjet e përgjithshme, të cilat në Bosnjë-Hercegovinë do të duhej të mbaheshin më 2018. Do të ju kujtoj se edhe zgjedhjet e fundit presidenciale, në të cilat Dodik mezi mori pak më shumë vota nga i riu Ognjen Tadiq, treguan se gjërat nuk qëndrojnë tamam ashtu siç do të donte ai. Kuptohet se arsyet për rënien e rejtingut të Milorad Dodikut nuk kanë të bëjnë me raportet e tij me Sarajevën apo Bosnjë-Hercegovinën, por para së gjithash me mjerimin e madh social dhe ekonomik, si dhe me problemet tjera me të cilat përballen qytetarët e kësaj pjese të BH-së.

Në këtë drejtim, referendumi i shpallur në RS mund të shihet si mënyrë që Dodik ta forcojë pozitën e tij në mesin e votuesve dhe në këtë mënyrë t’ia sigurojë vetes qëndrimin e mëtejshëm në pushtet. Në anën tjetër, dihet se më 2012, pas fitores së Aleksandar Vuçiqit në Serbi, Milorad Dodik papritur u gjet në situatë shumë të palakmueshme.

Pse?

Zharko Koraq: Për shkak se në zgjedhjet presidenciale drejtpërdrejt dhe pa mëdyshje e mbështeti Boris Tadiqin. Pas fitores së Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit (SNS), marrëdhëniet e Dodikut dhe Vuçiqit – i cili është njeri shumë hakmarrës – u bënë mjaft të ftohta. Kësaj i kontribuoi edhe paralajmërimi i Aleksandër Vuçiqit se në Serbi do ta udhëheqë një politikë radikale pro-europiane, politikë e cila do të jetë krejt ndryshe nga ajo që udhëheq Milorad Dodik. Vuçiqi e demonstroi këtë me shkuarjen në Vjenë, ku, ndryshe nga Boris Tadiq, pa probleme u ul në tryezën e bisedimeve me Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit tjerë të Kosovës. Kjo politikë është, përndryshe, arritja kryesore e Vuçiqit në politikën e jashtme dhe arsyeja e vetme serioze pse deri më tani ka gëzuar mbështetjen e tillë të rëndësishme nga Perëndimi.

Në këtë kontekst, pozita e Milorad Dodikut është bërë gjithnjë e më e vështirë. Dodik, në fakt, është vënë në situatë për të provuar nëse qëllimi i tij për ta thyer BH-në e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Sepse, në qoftë se deklaroheni si një politikan properëndimor, e në të njëjtën kohë edhe nuk e duroni Milorad Dodikun, a nuk ia ngushtoni në këtë mënyrë hapësirën për destruktivitet presidentit të RS-së, në mënyrë thelbësore dhe legjitime?

Po, por gjërat kanë ndryshuar në mënyrë radikale dhe Dodik sot, ndoshta edhe më shumë se në kohën e Boris Tadiqit, në çdo ngjarje të rëndësishme në Beograd ndodhet afër kryeministrit Vuçiq dhe presidentit Tomislav Nikoliq.

Zharko Koraq: Kjo është e vërtetë. Boris Tadiqi e ka dërguar ministrin e Jashtëm, sot kanidatin e mbështetur gjerësisht të Serbisë nacionaliste për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremiq, së bashku me këngëtaren Ceca Razhnjatoviq – Ceca që të marrë pjesë në fushatën elektorale të Milorad Dodikut në RS. Jeremiq me Dodikun atëherë u ngjitën në skenë, duke u përpjekur për ta kapur ritmin e këngëtares së përmendur. Tani kjo është bërë edhe më drastike: Dodik me të vërtetë është vazhdimisht në Serbi, prej nga pandërprerë thekson se Banjalluka dhe Beogradi faktikisht e udhëheqin të njëjtën politikë.

Pse sot kryeministri Vuçiq i nevojitet Milorad Dodikut?

Zharko Koraq: Vuçiqi deri më tani u ka dhënë qytetarëve serbë qindra premtime të pabesueshme, gati tragjikomike, për të cilat shumë mirë e di se nuk mund t’i përmbushë. Një prej tyre është se Serbia, me një ekonomi e cila e ka zhvillimin më të hovshëm në Europë, për një dekadë do të ketë standard si Suedia, apo si Gjermania. I vetëdijshëm se kjo që thotë është e pamundur, Vuçiq ka vendosur të mbështetet në atë që është e natyrshme për Partinë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit, nga e cila ai arriti në pushtet, e ajo është që me lojën në kartën nacionaliste ta forcojë në këtë drejtim pozitën e tij të luhatur politike. Prandaj, për këtë e ka pranuar Dodikun, me të cilin, edhe pse kryeministër i shtetit fqinj, këto ditë do ta hapë autostradën në BH. Njëkohësisht, Dodik e shoqëron në Beograd gati në çdo hap. Thënë trup e shkurt, me ndihmën nëpërmjet votuesve të vet, me premtime të lodhura dhe zhgënjyese të kryeministrit dhe me premtime joreale, porosit – mos u brengosni për asgjë, unë jam ai i njëjti nacionalist siç isha në të nëntëdhjetat. Me fjalë të tjera, Dodik, në mënyrë paradoksale, për Vuçiqin e bën të njëjtën punë që e ka bërë edhe për Boris Tadiqin. Me përjashtim që Tadiqi atëbotë ishte kryetar i Partisë Demokratike.

Kohët e fundit, duke komentuar qëndrimin e Beogradit se nuk e mbështet referendumin, por që gjithmonë do të jetë me popullin serb në Republikën Serbe, keni thënë se si kryeministri Vuçiq përpiqet që mesazhin e njëjtë ta dërgojë në dy adresa të ndryshme: qytetarëve të Serbisë dhe Perëndimit. Në këtë kuptim, a kanë të drejtë ata që me kujdes dëgjojnë çfarë thonë ministrat Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin, ndryshe nga çfarë thotë kryeministri Vuçiq? A flasin pra dy ministrat atë çfarë nuk guxon Vuçiq?

Zharko Koraq: Edhe roli i Milorad Dodikut është i ngjashëm me rolin e Daçiqit dhe Vulinit: edhe ai, në fakt, flet atë që Vuçiq nuk dëshiron ta thotë publikisht. Në këtë, loja destruktive e Dodikut është e qartë për Perëndimin dhe për Serbinë, sikur edhe për qytetarët e BH-së. Në anën tjetër, qëndrimet radikale të treshes së përmendur i krijojnë probleme të mëdha pikërisht Aleksandar Vuçiqit, të cilin kjo situatë e bën «pastrues». Sepse, nëse ju që më parë e paragjykoni referendumin në RS, e në fjalinë e radhës thoni se do të qëndroni prapa asaj çfarë gjoja keni gjykuar, çfarë gjykimi është ai atëherë?! Në fund të fundit, kujtojeni se çfarë i parapriu gjithë kësaj. Në prag të takimit me presidentin e RS-së, Vuçiq, ashtu siç rëndom bën – d.m.th. në mënyrë shumë teatrale, krahas një aktori të keq provincial – e aktron hidhërimin. Takimi me Dodikun është i pakuptimtë, meqë në RS tashmë është caktuar data e referendumit; unë nuk mund të bëj asgjë atë, tha ai.

A ka mundur?

Zharko Koraq: Është krijuar përshtypja se Vuçiqi nuk e ka kundërshtuar aktivisht mjaftueshëm Dodikun. Në gjykimin tim, ajo që më pasoi ishte një ngjarje politike e klasës së parë. Natyrisht, mendoj në faktin që Milorad Dodik, vetëm tri ditë para referendumit, udhëtoi për në Rusi, ku u prit nga Vladimir Putin. I cili, edhe pse pritnim diçka të tillë, sigurisht nuk e «luti» që deklarimin e qytetarëve të RS ta shtyjë për një kohë tjetër. Nëse kësaj i shtohet mbështetja e mëparshme që Dodikut i erdhi nga ambasadori rus në BH, si dhe fakti se kryetari i RS kësaj here e lëshoi Beogradin pa mbështetjen e qartë të Vuçiqit, mund të përfundojmë se Moska tani dërgon mesazh shumë të qartë, jo më për Sarajevën, as për Banjallukën, por direkt për Beogradin.

Çfarë mesazhi?

Zharko Koraq: Kremlini në mënyrë të qartë nuk është i kënaqur me Aleksandër Vuçiqin. Në këtë drejtim, nuk do të habitesha nëse Moska në muajt e ardhshëm do të fillonte të sillej në Serbi, ashtu siç edhe në Bosnjë-Hercegovinë ka filluar të sillet tamam siç ka vepruar në Mal të Zi, kur në fund të vitit të kaluar qëndroi direkt pas rrëzimit legal dhe legjitim të pushtetit të kryeministrit Milo Gjukanoviq.

A është kjo e vetmja arsye pse Moska sot kështu hapur e mbështet Milorad Dodikun?

Zharko Koraq: Ngjarjet në Ukrainë, të cilat rezultuan me aneksimin rus të Krimesë, i kanë rrezikuar seriozisht marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Duke e luajtur lojën me botën perëndimore, Putin sot përpiqet që me çdo kosto ta përcaktojë Ballkanin si një hapësirë ​​të ndikimit të vet dominues politik, që d.m.th., ndryshe nga Mali i Zi, që për Kremlinin në këtë drejtim është «një rast i humbur», Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën i pengon për të hyrë në BE dhe në NATO. Milorad Dodik i shërben Moskës si një paralajmërim shumë serioz për Vuçiqin se çfarë politike do të duhej të udhëhiqte. I preferuari ynë i ri në Ballkan, thotë Putin, është Milorad Dodik; nëse e dëshironi mbështetjen tonë, silluni sikur ai.

Çfarë do të thotë kjo? Rusia nëpërmjet Dodikut e destabilizon Ballkanin?

Zharko Koraq: Ashtu është. Referendumi në RS është në funksion të destabilizimit të Ballkanit. Për Putinin më e rëndësishmja është që t’i tregojë Perëndimit se po vazhdoi ta ndrydhë me sanksione, do të jetë edhe më aktiv këtu. Çfarë mund të bëjë Rusia në Serbi, nuk guxoj as ta mendoj… Sa serbë nacionalistë në Serbi kanë thënë dhe kanë shkruar jo vetëm një herë që serbët në RS janë «pjesa më e shëndetshme e popullit serb»? Gjë që është, natyrisht, tejet fyese për serbët nga Serbia. Sepse çfarë do të thotë kjo? Që serbët e atjeshëm janë guximtarë, që heronjtë janë të gatshëm për rezistencë, në dallim nga ne këtu, që jemi tolerues të pandreqshëm. Mosmbështetja e Putinit për Dodikun dhe RS-në nuk e nënkupton të njëjtën gjë? Me fjalë të tjera, deshe a nuk deshe, Dodik gjithnjë e më tepër po bëhet armë me të cilën Moska e gjuan Serbinë. Duke qenë se nuk është distancuar me kohë nga presidenti i Republikës Serbe, se gjithkund e merr me vete, Vuçiqi së shpejti do të gjendet në një pozitë mjaft të palakmueshme: Perëndimit duhet t’ia shpjegojë se si shokun e tij më të afërt dhe partnerin Putin e mbështet hapur. Kredibiliteti i politikanit properëndimor Vuçiq në këtë mënyrë do të vihet seriozisht në pyetje, gjë që nuk është mirë për askënd, e sidomos për Serbinë.

Pse?

Zharko Koraq: Sepse në Serbi për momentin nuk ka asnjë forcë politike që mund të jetë alternativë serioze e Aleksandër Vuçiqit. Që nga koha e Slobodan Milosheviqit nuk mbahet mend që dikush me aq shumë pushtet politik në duart e veta t’i sulmojë dhe t’i kriminalizojë kundërshtarët politikë. Më befason, ndërkaq, lehtësia me të cilën shoqëria serbe pajtohet me këtë lloj vokabulari, jam i sigurt, nuk ekziston askund në Europë. Në Serbi, njerëzit kanë frikë të jenë në opozitë, që hapur ta kritikojnë politikën e Vuçiqit, që gjithashtu ndodh për herë të parë pas rënies së Milosheviqit. Deri tani, Perëndimi ka heshtur ndaj sjelljes së tillë të Vuçiqit; i ka injoruar presionet dhe manipulimin e medieve, sulmet e egra mbi Avokatin e Popullit Sasha Jankoviq, mnrojtësin e qytetarëve Radolub Shabiq e kështu me radhë. Unë nuk jam i sigurt nëse kështu do të bëjë edhe në të ardhmen. Sepse, kur e gjitha i shtohet paaftësisë së Vuçiqit – e aktruar apo e vërtetë, krejt njësoj, – për ta frenuar Milorad Dodikun, ajo, besoj unë, duhet të prodhojë pasoja të caktuara dhe ta ndryshojë optikën e Perëndimit, kur është fjala për mënyrën me të cilën Vuçiq e qeveris sot Serbinë.

Çfarë po ndodh me opozitën në RS? Si është e mundur që edhe Mladen Ivaniq dhe Dragan Çaviq ta mbështetin referendumin e Dodikut? Megjithatë, në qoftë se e kujtojmë mitingun e fundit dhe kundërmitingun në Banjallukë, paraqitjen simbolike të bijës së Radovan Karaxhiqit në njërën, dhe djalin e Ratko Mladiçit në skenën e dytë, shtrohet pyetja se kush është alternativa e Milorad Dodikut? Si e sheh opozita në RS të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës, çfarë mendon për luftërat jugosllave të viteve të nëntëdhjeta, për gjenocidin në Srebrenicë…? Për fat të keq, nuk dihet se kush është më i keq, kush është nacionalist më i madh.

Zharko Koraq: Është fatkeqësi e madhe që askush në RS nuk i është kundërvënë politikës dodikiane destabilizuese të Bosnjë-Hercegovinës. Milorad Dodik ka arritur shkathtësi të tregojë se dallimet në politikat e RS-së janë kryesisht taktike, që d.m.th. se në partitë serbe në fakt nuk ka pikëtakime strategjike. Gjë që, sipas mendimit tim, është humbje e madhe e gjithë BH-së. Mos harroni se Dodik, edhe në kuptimin formal, fillimisht refuzoi të bashkëpunojë me Mladen Ivaniqin si anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës; në të njëjtën kohë, Ivaniq nuk pati forcë t’i kundërvihet me referendum. Në vend të asaj, që mjaft më ka befasuar, thoshte se është fjala për një gjë të përfunduar, se asgjë në thelb nuk do të ndryshojë, edhe pse e dinte shumë qartë se reaksioni i korpusit politik boshnjak e mohon këtë në mënyrë të qartë. Në politikë shpesh nuk ka rëndësi se çfarë ju personalisht mendoni për një problem; pakrahasimisht është më e rëndësishme se çfarë mendojnë qytetarët, si e përjetojnë ata atë. Me fjalë të tjera, në politikë realitet është ajo që perceptohet, e jo ​​realiteti vetë per veten.

Si e përjeton korpusi politik boshnjak në BH referendumin në RS?

Zharko Koraq: Si një provokim të rëndë, si një fillim për ta thyer BH-në.

A kanë të drejtë?

Zharko Koraq: Nëse me referendum dëshirohet të vendoset vazhdimësia me RS-në e vitit 1992, me të cilën edhe zyrtarisht filloi shaktërrimi i BH-së, atëherë… Më duket se referendumi në Ditën e Republikës Serbe i ka sqaruar shumë gjëra: e tregoi qëndrimin e Rusisë për tërësinë territoriale të Bosnjës-Hercegovinës, pastaj hipokrizinë e politikës së Vuçiqit, hipokrizinë e opozitës në RS, hipokrizinë e korpusit politik kroat. Ekziston thënia e vjetër – e ndoqën për dhelpër, u doli ujk. Kam frikë se me këtë referendum është nuk është ndjekur një, por të paktën gjashtë apo shtatë ujq.

Ku e shihni hipokrizinë e korpusit politik kroat?

Zharko Koraq: Për fat të keq, korpusi politik kroat në muajt e fundit gjithnjë e më shumë është duke u bërë një faktor aktiv në lojën e Dodikut për ta thyer BH-në. Ai grup politik vetëm në dukje është pasiv, ose ndoshta dëshiron të krijojë përshtypjen e pasivitetit, edhe pse, në thelb, çdo herë e më hapur e mbështet politikën e presidentit të Republikës Serbe.

Si e shpjegoni këtë?

Zharko Koraq: Sipas gjykimit tim, është fjala për reflektimin në atë që ka ndodhur në Kroaci para zgjedhjeve të fundit, në kohën e pushtetit të Tomislav Karamarkos, kur njerëzit si Zlatko Hasanbegoviq u bënë ministra me shumë ndikim. Një qëndrim i tillë i trupit politik kroat në BH është gjithashtu, them unë, mjaft i zhveshur, kjo kryesisht për shkak të dominimit të pjesës së Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në Kroaci, e cila ka qenë gjithmonë shumë afër idesë së Herceg-Bosnës.

A ka përgjigje korpusi politik boshnjak në përpjekjet e Dodikut për ta destabilizuar Bosnjë-Hercegovinën?

Zharko Koraq: Ajo pjesë e skenës politike boshnjako-hercegovase është shumë e ndarë. Jo politikisht, por mbi të gjitha nga akuzat e ndërsjella për korrupsion dhe nepotizëm. Nga akuzat e tilla nuk janë kursyer madje edhe ato partitë e vogla, që në kuptimin politik janë shumë afër. Prandaj, imazhi që vjen nga Sarajeva në këtë moment është mjaft dëshpërues. Përveç këtyre imazheve, pak a shumë të ngjashme në të gjitha vendet post-komuniste, e keni edhe problemin shtesë, e ky është fakti se elita politike boshnjake, në kohën kur rrezikoheshin interesat themelore të Bosnjë-Hercegovinës nuk arrin të dalë nga politika e Ballkanit, në kuptimin e saj më negativ.

Në çfarë kuptimi?

Zharko Koraq: Në kuptimin që më nuk merren me firmat e tyre, me llogaritë e tyre bankare, me debatet se kush është pronar i ndonjë medie, kush kë e ka blerë, kush kë e rrënon, e kush më pak punon për shtetin, mbijetesa e të cilit është pyetje serioze. Thjesht, njeriu e krijon përshtypjen se për shumicën e këtyre njerëzve politika është në plan të dytë dhe se merren me të që të arrijnë ndonjë interes për veten e tyre, për gruan, për vëllain, për familjen. Pas përfundimit të regjistrimit në BH, që gjithashtu ishte një çështje e përplasjeve, i vetmi profesor Enver Kazazi u përpoq seriozisht të shpjegojë se çfarë do të thonë rezultatet për të ardhmen e BH-së dhe të rajonit. Profesor Kazaz, i cili sigurisht angazhohet për mbijetesën e BH-së, thotë se regjistrimi në BH tregoi në fakt se në BH ekzitojnë tri etnitete nacionale dhe e shtroi pyetjen – si tutje? Si të menaxhohet politika e brendshme në BH?

Nuk e kam përshtypjen se edhe dikush tjetër u përpoq të përgjigjet në këtë pyetje, nga çfarë mund të konkludoj se korpusi politik boshnjak në fakt nuk ka as kapacitete dhe as interes për t’u marrë me problemet serioze me të cilat sot përballet shoqëria boshnjako-hercegovase. Të themi, për shembull, a ka pyetur dikush ndonjëherë nëse në këtë moment, kur në Europë fitojnë partitë e krahut të djathtë, a është e mençur që gjithë ekonomia, përfshirë edhe pjesë të tokës, t’u jepen në duar sheikëve arabë? Çfarë është në këtë rast perspektiva europiane e Bosnjë-Hercegovinës? A do ta duan politikanët e tillë europianë BH-në e tillë në BE? Për këto çështje mendohet pak në BH. Në vend të kësaj, edhe më tutje besohet në përkrahjen e pakushtëzuar të Perëndimit, por edhe harrohet se ajo në të nëntëdhjetat nuk e ka ndihmuar Alija Izetbegoviqin.

Në mediet e BH-së në javët e fundit gjithnjë e më shpesh kujtohen pikërisht fjalët e Alija Izetbegoviqit, i cili, në prag të luftës, i porositi qytetarët e BH-së që të flenë të qetë. E dimë se çfarë ndodhi më pastaj. A mund të flenë të qetë sot qytetarët e BH-së, a kanë arsye të frikësohen nga një konflikti i ri?

Zharko Koraq: Nuk do të doja ta frikësoj dikë, por kam drojë se qytetarët e BH-së kanë arsye të madhe për t’u frikësuar. E vetmja përvojë e qëndrueshme dhe përfundimi që e kemi nxjerrë nga lufta e fundit është se në Ballkan kurrë nuk është përjashtohet asnjë zgjidhje. Gabimi më i madh është të besohet se konflikteve të Ballkanit, veçanërisht atyre në Bosnjë-Hercegovinë, iu dha fund përgjithmonë. Të mos flasim për atë sa janë të rrezikshme… Dhe, më lejoni t’jua tregoj një histori: të madhin Sigmund Freud, autoritetet naziste në vitin 1938 e lejojnë të largohet nga Vjena dhe të shkojë në Londër. Ai ishte tashmë plak, i kishte 87 vjet dhe vuante nga kanceri në gojë. Mjeku që e ka shëruar, në ditarin e tij i ka përshkruar bisedat e bëra me këtë njeri të madh. Një herë e pyet nëse mendonte se lufta që ishte në horizont do të jetë konflikti i fundit i madh botëror. «Për mua do të jetë i fundit», u përgjigj Freud, i cili vdiq vetëm dy javë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta, atëherë, lufta jugosllave e viteve të nëntëdhjeta për moshuarit ishte e fundit.

Duke pasur parasysh atë që Freud mendonte – flas për natyrën e njeriut, për sjelljen e papërgjegjshme – nuk jam i sigurt që për njerëzit e rinj në Ballkanit lufta e të nëntëdhjetave ishte lufta e fundit. Europa sot është e okupuar nga kriza emigrantëve, Amerika, përkrah zgjedhjeve presidenciale, është e mbërthyer në luftën në Siri dhe në Afganistan, dhe, në këtë kuptim, nuk ka shumë vend për t’u marrë me Ballkanin dhe Bosnjë-Hercegovinën. Nëse situata përkeqësohet, në qoftë se vazhdon kjo sjellje e papërgjegjshme e Milorad Dodikut dhe Vladimir Putinit, nuk do ta përjashtoja mundësinë e konflikteve të reja. Gjë që do të ishte katastrofë!

(BH Dani, Sarajevë)