Kopshti boshnjak kapërcen ndasitë etnike

Një kopsht i hapur së fundmi në Gornji Vakuf/Uskople është i vetmi institucion arsimor në qytet në të cilin fëmijët kroatë të Bosnjës dhe boshnjakë kalojnë kohën bashkë.

Fëmijët në kopshtin Zvonçiq.



Kopshti Zvonçiq në Gornji Vakuf, pjesët «kroate» të të cilës u quajtën Uskoplje gjatë luftës së viteve 1992-1995, ka arritur të kapërcejë ndasitë etnike në sistemin arsimor të qytetit – një nga komunat boshnjake në të cilat shkollat kanë dy kurrikula mësimore më vete, një për boshnjakët dhe një për fëmijët kroatë.

Sistemi «dy shkolla nën një çati» i Bosnjës dhe Hercegovinës është kritikuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, pasi ky sistem ndan nxënësit përgjatë vijave etnike.

Por sistemi nuk prek më shumë se 60 fëmijë që ndjekin kopshtin Zvonçiq, i cili u hap para pesë muajsh me ndihmën e donacioneve ndërkombëtare dhe mbështetjes nga qeveria lokale.

Drejtoresha e Zvonçiq, Tijana Barnjak, tha për TV Federal se kopshti po ecën shumë mirë dhe se tashmë ka një listë pritjeje.

«Problemi më i madh» i tij është me një djalë që quhet Petar (që konsiderohet të jetë një emër katolik kroat) i cili dëshiron që vëllai i porsalindur të quhet Mustafa (një emër boshnjak), sepse kështu quhet shoku i tij i ngushtë në kopsht.

«Jemi të lumtur që kemi «probleme» të kësaj natyre», tha Barnjak.

«Problemi nuk janë fëmijët dhe ata s’do të jenë kurrë. I vetmi problem këtu mund të jenë të rriturit», shtoi ajo.

Politikat ndarëse janë arsyeja përse, para hapjes së Zvonçiqit, qyteti nuk kishte një kopsht prej 15 vjetësh.

«Ishte një problem politik», tha Barnjak për BIRN.

«Kishte shumë institucione të ndara dhe kopshti vendas u rrënua në vitin 2002 pa ndonjë mbështetje», tha ajo.

Barnjak tha se Gornji Vakuf/Uskople nuk është më i ndarë etnikisht siç e portretizojnë ndonjëherë mediat dhe se kopshti i ri është një shembull i kësaj.

Megjithatë, kur fëmijët të fillojnë të ndjekin shkollën, ata do të ndahen sipas përkatësive etnike dhe do të studiojnë sipas kurrikulës boshnjake ose kroate.

«Ne po përgatitemi për këtë, po mendojmë si t’ua shpjegojmë më mirë fëmijëve. E dimë nga prindërit që fëmijët kanë pyetje të tilla, kështu që ata do t’ua shpjegojnë në shtëpi», tha Barnjak.

Për momentin, ky nuk është një problem, shtoi ajo.

«Kjo është e gjitha e re për fëmijët. Ata janë të gjithë të përqendruar te kopshti tani, pasi nuk ka pasur një të tillë prej 15 vjetësh», tha Barnjak.

(https://www.reporter.al/kopshti-boshnjak-kapercen-ndasite-etnike/)