Konjufca njofton për vazhdimin e bllokimit të seancës

Kryetari i GP të LVV-së, Glauk Konjufca për KTV ka thënë se ata e kanë paralajmëruar edhe më herët atë që ndodhi sot, duke e quajtur gjithë këtë si qëllim të frontit opozitar.




Konjufca tha se asnjë deputet nuk e ka mandatin për ta shitur vendin e për të krijuar shtet të Serbisë brenda Kosovës.

«Ne kemi folur me qindra e mijëra herë, dhe prej vitit 2005 ne si VV kemi thënë se Serbia ka synim që ta krijojë një shtet brenda shtetit të Kosovës. Isa Mustafa me nënshkrimin e tij e mundëson këtë synim të Serbisë. Ata kanë bërë negocim që nuk po i pëlqen popullit dhe shoqërisë së Kosovës, sepse nuk kemi nevojë që të futemi në këtë cikël. Unë mendoj se Zajednica është fitore e madhe e Vuçiqit e mundësuar nga Mustafa dhe Thaçi.

Mustafa ka thënë publikisht në vitin 2013 se marrëveshjet me Serbinë duhet të rishikohen dhe do të bëjmë referendum por ai në fakt na solli dhe një marrëveshje tjetër», shtoi Konjufca.

Ai qartë tregoi se ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që po mbahet si rezultat i bllokimit të sotëm.

Për ta ndal Zajednicën, Glauk Konjufca tha se nuk do ta kursejnë as qenien e tyre.