Konjufca bën përgjegjës Isa Mustafën për arrestimin e Kurtit

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme para Kuvendit të Kosovës, bashkë me shefet e deputetëve të AAK-së e të Nismës.




Ai ka thënë se do të qëndrojnë në protestë deri në lirimin e Kurtit.

Konjufca ka thënë se përgjegjës për përshkallëzimin e mundshëm të situatës është kryeministri Isa Mustafa. Arrestimin e Kurtit ai e ka quajtur kryekëput politik.

Konjufca ka thënë se nuk mund të krahasohet hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës me atë të policëve ndaj qytetarëve.
Konferenca është mbajtur para Kuvendit, meqë aty nuk janë lënë të hynë gazetarët.
«Kjo dëshmon kemi të bëjmë me një sistem diktatorial», ka thënë Konjufca.

«Meqë na e ndaluan për të hyrë në Kuvend bashkë me gazetarët atëherë po e mbajmë konferencën para hyrjes së Kuvendit. Është arrestuar një deputet i shquar i Kuvendit, dhe ne jemi shumë të shqetësuar me këtë gjest. Paralajmërojmë Isa Mustafën, që është përgjegjës për kidnapimin e Albin Kurtit, që ta lirojnë Kurtin», tha Konjufca.

Gazetarëve u foli edhe deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi.
«Po mundohen të na mbyllin dyert e Qeverisë dhe tash po mundohen të ua mbyllin gojën edhe gazetarëve duke mos ua hapur dyert e Kuvendit. Do të jemi këtu, sepse jemi në anën e drejtë, dhe kërkojmë që menjëherë të lirohet Kurti, i cili i ka vendet në seanca dhe në karrigen e deputetit e jo në burg.