Konfiskohen rreth 40 kg drogë në Mazgit të Obiliqit

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas pranimit të informacioneve relevante nga burime policore në terren, dje, me 4 tetor 2015 rreth orës 23:25, ka realizuar një operacion policor anti-drogë, në dalje të autostradës «Ibrahim Rugova» në fshatin Mazgit, komuna e Obiliqit.




Gjatë realizimit të operacionit policor është ndaluar për kontroll një kamion, me ç’rast gjatë kontrollimit në rimorkion e kamionit e cila ishte e ngarkuar me rërë është gjetur e fshehur sasi e paketimeve të narkotikëve.

Me këtë rast është arrestuari i dyshuari B. F. lindur më 1989 i përkatësisë etnike shqiptar.

«I dyshuari, drejtuesi i kamionit, e kishte fshehur sasinë e narkotikëve nën rërë, ku dyshohet se ka kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’», njofton Policia, raporton Koha.net.

Ndërkaq, substanca e konfiskuar e narkotikëve pas matjes ka rezultuar të jetë 39.778 KG.

Hetimet lidhur me prejardhjen dhe destinacionin e substancës së dyshuar janë në proces. Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar prokurori i krimeve të rënda dhe me aktvendim të tij i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes.