Konferenca e Bujanit dhe mëvetësia e Kosovës

Kërkesat politike të shqiptarëve, të orientuara të gjitha drejt një qëllimi definitiv, qofshin kërkesat për zgjerim dhe thellim të autonomisë ose ato për Republikën e Kosovës (1968, 1981), kërkesat për mbrojtjen e autonomisë, kur kjo ishte e rrezikuar, më 1988-89, si dhe kërkesat për pavarësi të plotë të Kosovës, në kohën kur hegjemonizmi agresiv serb rrënoi autonominë dhe pushtoi Kosovën dhe kur po rrënohej Jugosllavia, të gjitha këto kërkesa me të njëjtën të drejtë gjetën dhe gjejnë jo vetëm inspirim, por edhe mbështetje dhe legjitimim në Konferencën e Bujanit dhe vendimet e saj.

Profesor Fehmi Agani gjatë një takimi me presidentin amerikan Bill Clinton.



Konferenca e Bujanit dhe vendimet e saj janë ndër premisat, pikat e mbështetjes dhe argumentet më të rëndësishme të legjitimitetit të kërkesave të shqiptarëve për mëvetësi të Kosovës dhe vetëvendosje.

Ka diçka paradoksale në të dhe është indikativ paradoksaliteti i Konferencës se Bujanit, i qëndrimeve dhe vlerësimeve, i oscilimit të interesimeve për këtë Konferencë dhe vendimet e saj. Konferenca e Bujanit në disa aspekte të rëndësishme u anulua të thuash qysh me Letrën e KQ të PKJ-së të 28 marsit 1944, por anulimi u bë ne një mënyrë që i konfirmon, u jep të drejtë dhe legjitimitet pikërisht qëndrimeve që do t’i zhvleftësojë. Me dekada të tëra shqiptarët kryesisht heshtnin për Konferencën e Bujanit, ishin të gatshëm ta trajtonin Konferencën si histori, t’i vendosin në histori vendimet e saj, që të mos ishin të detyruar të hiqnin dorë prej tyre, kurse historianë dhe politikanë serbë ose, më mirë të themi serbonacionalistë, duke dashur t’i mohonin, t’i shlyenin e t’i shlyenin vendimet e Bujanit, u bënë atyre jehonën më të madhe. Dyzet e sa vjet pas Konferencës së Bujanit, një forum partiak në mënyrë injorante vendosi ta anulonte këtë Konferencë dhe vendimet e saj, ndonëse, si thotë me të drejtë ekonomisti i njohur kroat, dr. Branko Horvat, një ndër të parët e të rrallët intelektualë të ish-Jugosllavisë që pati kurajë të ngrihej në mbrojtjen e çështjes shqiptare në kohën e vërsuljeve më të mëdha serboshoviniste kundër çdo gjëje shqiptare, ngjarjet historike nuk «anulohen» dhe nuk «ringjallen», ato thjesht kanë ndodhur dhe si të tilla duhet të studiohen e të nxirret mësim prej tyre. Dhe, paradoksalisht, pikërisht kur me anektim të Kosovës (e të Vojvodinës) u realizua «Serbia unike», ëndrra e të gjithë serbomëdhenjve dhe e kundërshtarëve të Bujanit, me shkëlqim të plotë ndriçoi vlera e plotë dhe e qëndrueshme e vendimeve të Bujanit, kurse në rezistencën kundër pushtimit serb, në vullnetin për pavarësi dhe institucionet e pavarësisë së Kosovës filloi realizimi konsekuent i këtyre vendimeve.

Çka i karakterizon vendimet e Bujanit, cila është vlera e tyre dhe pse u bënë ato objekt diskualifikimi dhe sulmesh te shfrenuara serbohegjemoniste?

Vullneti politik

Konferenca e Bujanit dhe vendimet e saj shprehnin një realitet kombëtar dhe politik të Kosovës, një vullnet dhe orientim politik të saj. Ato shprehnin, gjithashtu, specifikën e lindjes, të kushteve e të raporteve të lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Nga kjo specifikë e zhvillimit të lëvizjes çlirimtare do të përmendim veçanërisht faktin që lëvizja çlirimtare, ndonëse nominalisht pjesë e lëvizjes çlirimtare të Jugosllavisë dhe nën drejtim të PKJ-së, realisht dhe faktikisht ishte, apo tentonte të jetë e mëvetësuar, nacionalçlirimtare në kuptimin autentik objektivisht e pavarur nga strukturat dhe instancat serbe e jugosllave dhe, natyrisht, e lidhur me Shqipërinë më shumë se do të donin këto struktura dhe instanca. E këtillë bëhej lëvizja çlirimtare në Kosovë sa më shumë shmangej ose dilte nga suazat e strukturave si ishte Komiteti Krahinor i PK-së, gjithnjë i dominuar nga serbët dhe shprehje e sektarizmit politik ndaj shqiptarëve.

PKJ-ja kishte program më të avancuar ndaj çështjeve kombëtare në Jugosllavi, edhe ndaj çështjes shqiptare, krahasuar me formacionet e tjera politike serbe e jugosllave. Kishte në këtë program edhe liri të popujve, barazi, vetëvendosje. Por këto ishin më tepër pohime e premtime verbale.

Sepse, në të vërtetë, veçanërisht ndaj çështjes shqiptare në qëndrimet e PKJ-së kishte edhe mjaft inkonsekuencë, demagogji e mashtrim. Pikërisht për këto qëllime mashtrimi evitohej deklarimi i qartë, jepeshin premtime të përgjithësuara, kërkohej që zgjidhja e çështjeve si është realizimi i vetëvendosjes së shqiptarëve të shtyhej për mbas luftës, kur pozitat e Serbisë e të Jugosllavisë kujtohej se do të ishin më të forta. Konferenca e Bujanit dhe vendimet e saj ishin një insistim për realizimin e asaj që premtohej në formë të përgjithësuar, ishin një test sinqeriteti e vërtetësie të politikës së deklaruar të PKJ-së. Dhe ky test nuk u kalua me sukses.

Vetë Konferenca e Bujanit dhe formimi i Këshillit Krahinor Nacional Çlirimtar i Kosovës, ndonëse sipas shembullit të disa konstituimeve të këtilla në vise të tjera, ishte dëshmi e konstituimit mëvetësor politiko-territorial të Kosovës, jashtë dhe pavarësisht nga Serbia, madje relativisht pavarësisht edhe nga Jugosllavia. Ky ishte vendimi më i rëndësishëm që i vuri themelet e një Kosovë të mëvetësuar dhe arsyeja kryesore e pakënaqësisë së qarqeve serbo-hegjemoniste me Konferencën e Bujanit dhe e sulmeve ndaj saj. Dhe, jo vetëm kaq. Konferenca e Bujanit pati guxim të thotë se populli shqiptar i Kosovës nuk e do skllavërinë naciste, por as rikthimin në të vjetrën, se Jugosllavia e Versajës ishte vendi i shtypjes nacionale, sociale e politike dhe se shqiptarët duan liri të plotë, e të drejtë vetëvendosjeje. Madje u paralajmërua forma e vetëvendosjes se mundshme në formë realizimi të dëshirës së gjithmonshme të bashkimit me Shqipërinë.

Natyrisht, të gjitha këto thuhen në kuadër të orientimit të përgjithshëm dhe apelit të përgjithshëm për luftë kundër okupatorit, për bashkëpunim me lëvizjet çlirimtare të Jugosllavisë e Shqipërisë, duke i përshëndetur këto lëvizje çlirimtare. Por, ishte e qartë se lëvizja çlirimtare e Kosovës e shihte veten dhe ardhmërinë në lidhje të ngushtë, por jo edhe të mbërthyer e të mbyllur brenda suazave serbe dhe jugosllave. Kjo u shpreh në Konferencën e Bujanit dhe në vendimet e saj dhe ky ishte «mëkati» kryesor i kësaj Konference.

«Mëkatet»

Politikanë e historianë të shumtë të proviniencës serboshoviniste u vërsulën menjëherë kundër Konferencës se Bujanit dhe qëndrimeve të saj. Që në janar të vitit 1944, Pavle Joviçeviq, sekretar i Komitetit Krahinor, pjesëmarrës në Konferencë dhe nënshkrues i dokumenteve të saj, pas një qortimi që kishte marrë nga Svetozar Vukmanoviq Tempoja, i shkruante këtij të fundit: «Para se ta merrnim letrën tënde, e pamë gabimin që e kemi bërë. Atë kur kemi rrëshqitur në vijën e Ballit Kombëtar dhe të disponimit të masave»(!). Pastaj arrin reagimi i KQ te PKJ-së, i cili me një ton paternalist e falje jezuite të fajeve, kërkon te bëhen korrigjime qëndrimesh.

Konferenca e Prizrenit (korrik 1945), fill pas administrimit ushtarak, vendos, në kundërshtim me Bujanin, që Kosova t’i bashkohet Serbisë Federale në Jugosllavinë Federative. Por sulmet kundër Konferencës së Bujanit nuk ndërpriten. Përkundrazi, intensifikohen, veçanërisht pas vitit 1981, kur lindi një «literaturë» e tërë, në formë memuaresh e fejtonesh, por edhe «veprash» historike e politologjike, vërtet e varfër në përmbajtje e argumentim, por e begatshme në fabrikimin e gjysmë të vërtetave, të pavërtetave dhe të trillimeve, konsekuente dhe këmbëngulëse në synimin e saj kryesor: të njollosë e diskualifikojë çdo gjë që i mbështet shqiptarët dhe kërkesat e tyre.

Ata që e sulmonin Bujanin, si argument krucial të fajësisë, përmendnin fragmentin e njohur të Rezolucionit të kësaj Konference mbi dëshirën e shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë. Autorët shqiptarë, duke mos dashur të heqin dorë nga Konferenca e Bujanit, por duke mos mundur të mbrojnë publikisht një kërkesë të inkriminuar rëndë, kërkonin të shumtën «të kuptohen drejt» e «të eliminohen moskuptimet» lidhur me Konferencën e Bujanit. Por dr. Branko Horvat, i pakompleksuar, në një polemikë që zhvillon me historianin beogradas dr. Branko Petranoviq nëpërmjet të «Književne novine» (shtator 1987), kapet pikërisht me këtë «argument krucial», duke lakuriquar tërë falsitetin e politikës jugosllave lidhur me çështjen shqiptare. «Në këtë polemikë si edhe në të tjera të ngjashme», shkruan dr. Horvat, «në te vërtetë nuk është fjala për Bujanin. Fjala është për një gjë shumë më fundamentale, për problemin formulimi eksplicit i të cilit po evitohet me kujdes. Është koha e fundit që ky problem të ndriçohet dhe të ballafaqohen argumentet. Fjala është për çështjen se a kanë shqiptarët të drejtë të bashkohen apo jo?» «Në të kaluarën serbe dhe kroate», vazhdon dr.

Horvat, «lufta për bashkim kombëtar mbante gjithnjë aureolën e shkallës të lartë të patriotizmit. Kjo vlen edhe për gjithë popujt e tjerë. Pse, pra, një të drejtë që për vete e konsiderojmë si të shenjtë të mos ua pranojmë edhe të tjerëve? Pse atë gjë, të cilën për vete e konsiderojmë si atdhedashuri të jashtëzakonshme, te shqiptarët ta trajtojnë si separatizëm dhe kontrarevolucion?»

Por, që sulmi kundër Konferencës së Bujanit nuk ishte i drejtuar vetëm kundër dëshirës së shprehur për bashkim me Shqipërinë, si formë e realizimit të vetëvendosjes, por kundër çdo forme të mëvetesisë së Kosovës që e simbolizon Bujani, shihet qartë nga fakti që sulmet intensifikohen, madje anulimi i Konferencës bëhet më 1987, në fazën e shkallëzimit më agresiv të hegjemonizmit serbomadh, kur s’ishte në rend dite çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por kërkesa e eliminimit të autonomisë së Kosovës.

Po kjo mund të dëshmohet edhe me analizën e Letrës së përmendur të KQ te PKJ-së të 28 marsit 1944, e cila, përkundër disa mendimeve, më duket të gabuara, është shprehje e plotë e tërë demagogjisë, falsitetit dhe ndërgjegjes së papastër të partisë jugosllave ndaj çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve. Çka thotë dhe çka kërkon, në të vërtetë, Komiteti Qendror? Ai vërtet e ripohon të drejtën për vetëvendosje, duke e kushtëzuar me pjesëmarrjen në luftë dhe duke e shtyrë për pas luftës. Në të njëjtën kohë kërkon të shuhen elementet dhe vendimet që e afirmojnë mëvetësinë e

Kosovës. «Nuk ka qenë dashur të krijojnë Komitetin Krahinor», thuhet në Letër, «edhe për arsye se ana juaj nuk është zonë e posaçme kompakte»! Pohim më i pakuptimtë s’di që do të mund të thuhej. Prej të gjitha zonave që përbënin ish-Jugosllavinë, pak mund të kishte zona më kompakte e më specifike se Kosova. Por, prej Kosovës kërkohej ta zëvendësonte Komitetin Krahinor me Komitet Qarkor, e të formoheshin edhe komitete zonale, me nga disa rrethe, e me më shumë pavarësi! Kërkohet të hiqet emërtimi Dukagjin, me arsyetim se ky toponim shtrihet edhe në territore jashtë kufijve të Jugosllavisë! Por, kërkesa më e çuditshme ishte lidhur me Këshillin Nacional Çlirimtar. Kërkohej të mos krijohej Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar, si në njësitë e tjera federale, por të mbetej Këshilli Nacional Çlirimtar për Kosovë, dhe porositej: «Ky Këshill mund të jetë iniciativ, mund të jetë vetëm organ i unitetit politik të masave, por atij nuk guxon t’i jepet karakteri i pushtetit»! Pra, është e qartë: ndërsa në njërën anë gjoja pohonte të drejtën e vetëvendosjes, nga ana tjetër Jugosllavia ndërmerrte masat për të shuar, që në embrion, çdo institucion të mëvetësisë së Kosovës! Prandaj, kur autorët si udbisti Spasoje Gjakoviq pohojnë se «edhe po të abstrakohet ajo pjesë e Rezolutës, në të cilën kërkohet që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, Konferenca e Bujanit në tërësi mbetet separatiste, antiavnojiste dhe antijugosllave» dhe se probleme të mëdha lindën pikërisht nga «fryma e pashuar e Bujanit», nuk mund të thuhet se këto pohime ishin larg nga intencat e vërteta të politikës jugosllave ndaj Kosovës e shqiptarëve.

Por edhe lëvizja çlirimtare e shqiptarëve në Kosovë kërkesat e veta të çdo etape të pasluftës i mbështeti pafuqishëm në Konferencën e Bujanit dhe vendimet e saj. Aq fuqishëm i afirmoi kjo Konferencë mëvetësinë e Kosovës dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje sa edhe vendimet e Konferencës se Prizrenit, të korrikut 1945, ndonëse të imponuara e në shumë aspekte të kundërta me Bujanin, u bënë në emër të vetëvendosjes e duke ruajtur një formë autonomie për Kosovën. Kërkesat politike të shqiptarëve të çdo faze të mëvonshme, të orientuara të gjitha drejt një qëllimi definitiv, qofshin kërkesat për zgjerim dhe thellim të autonomisë ose ato për Republikën e Kosovës (1968, 1981), kërkesat për mbrojtjen e autonomisë, kur kjo ishte e rrezikuar, më 1988-89, si dhe kërkesat për pavarësi të plotë të Kosovës, në kohën kur hegjemonizmi agresiv serb rrënoi autonominë dhe pushtoi Kosovën dhe kur po rrënohej Jugosllavia, të gjitha këto kërkesa me të njëjtën të drejtë gjetën dhe gjejnë jo vetëm inspirim, por edhe mbështetje dhe legjitimim në Konferencën e Bujanit dhe vendimet e saj.

(Nga libri: Dr. Fehmi Agani: Studime sociologjie dhe politologjike, botoi Akademia e Shkencave dhe  Arteve e Kosovës)