Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Vjenë – nga marrëveshjet te futbolli

Në vigjilje të Konferencës së Ballkanit Perëndomor në Vjenë, «Tiroler Tageszeitung» i kushton takimit një artikull të gjatë. Kryeministri austriak Werner Faymann i inkurajon liderët e rajonit për reforma dhe në luftimin e papunësisë së të rinjëve. «Perspektiva europiane është shumë e rëndësishme», citohet ai.




Si zakonisht në qarqet europiane, në manir diplomatik, kryeministri austriak në një prononcim me shkrim është shprehur: «Vendet kanë kanë bërë përpjekje të admirueshme, por janë të nevojshme reforma të tjera, sidomos në fushën e shtetit të së drejtës». Dhe fjala është për Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën. Ato gjinden në faza të ndryshme të integrimit europian dhe Austria i përkrah në rrugëntimin e tyre, thotë raporti. Në konferencë do të marrn pjesë të gjashtë kryeministrat e vendeve përkatëse. Gjithashtu të reprezentuara do të jenë Sllovenia dhe Kroacia. Në Vjenë do të qëndrojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila para një viti e inicioi Konferencën Ballkanike në Berlin. Nga strukturat e UE-së do të jenë e ngarkuara me politikën e jashtme Federica Mogherini dhe komisoneri për zgjerim Johannes Hahn. Presidentët e tyre në konferencë do t’i dërgojnë edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Banka Europiane e Investimeve. Të martën do të zhvillohen takimet e para të kryeministrave Vuçiç, Mustafa dhe Rama lidhur me autostradën Nish-Prishtinë-Durrës.

Lidhja infrastrukturore – autostradë dhe hekurudhë – ndërmjet vendeve të rajonit është ndër temat kyçe të takimit të kryeministrave të Ballkanit përndimor. Pastaj furnizimi me rrymë, dhe patjetër luftimi i papunësisë te të rinjtë, e cila i kalon 50 për qind. Paralelisht me kryeministrat do të takohen edhe ministrat e jashtëm dhe ata të ekonomisë të vendeve të rajonit. Ministrat e jashtëm do të merren me temat e ekstremizmit. «Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Sanxhaku kanë një vulë myslimane», thotë raporti. Në rajon kohëve të fundit ka pasur edhe aksione policore kundër të dyshuarve si përkrahës të ISIS-it, ndërsa para do kohe në media – thotë raporti – për Ballkanin flitej si për një ‹kënd të vdekur› në luftimin e ekstremizmit, madje është raportuar edhe për inkurajim të tij – sidomos në Bosnjë, ku për shkak të papunësisë së lartë te të rinjtë dhe tensioneve ndëretnike, rekrutimi nga ekstremistët shihet si një rrezik serioz.

Agjenda e Konferencës është prekur sado pak nga valët e refugjatëve që po vërshojnë në Europë. Kjo çështje i prekë si vendet e Ballkanit – Maqedoninë, Serbinë – ashtu edhe ato të UE-së – Greqinë, Hungarinë, Austrinë, Gjermanisnë. Refugjatët nga Siria kalojnë nëpër vendet e para dhe synojnë të strehohen në vendet e dyta. Në anën tjetër, janë qytetarët e vet vendeve të Ballkanit, sidomos nga Kosova dhe Serbia, të cilët kërkojnë azil në Perëndim. Ndërsa në Austri me shkurtimin e procedimit të aplikacioneve për azil nga pesë muaj në një javë e gjysmë është zvogëluar numri i azilkërkuesve, në Gjermani ai ka shkuar duke u rritur. Këtë vit në Gjermani, 45 për qind e kërkesave për azil nga vijnë nga vendet e Ballkanit. Ndërkohë që Serbia, Bosnja dhe Maqedonia janë shpallur vende të sigurta, kjo shumë shpjetë do të vijë edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Edhe kryeministri austriak Faymann angazhohet për një politikë unike të UE-së kundrejt problematikës së refugjatëve. Në radhë të parë për një shpërndarje ferë të tyre nëpër vendet e UE-së, thuhet në raport.

Konferenca e Ballkanit do të shoqërohet me takime të shumta bilaterale dhe konferenca diskutimesh – sidomos të mërkurën dhe të enjten. Bosnja dhe Mali i Zi do të ndënshkruajnë një marrëveshje për vijën kufitare. Universiteti i Gracit dhe «European Fund for the Balkans» do të prezantojnë një studim mbi konfliktet ndërshtetërore në Ballkan. Kurse në një forum të shoqërisë civile do të prezentohen disa organizata joqeveritare nga rajoni i Ballkanit. Konferenca do të përmbyllet me një lojë futbolli: në ekipin e Ballkanit do të luajnë kryeministri serb, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, kundër ekipit të UE-së, ku do të luajnë Kurz dhe Hahn. Me këtë rast artikulli kujton ndeshjen e dështuar të futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë, duke e përmendur edhe shpjegimin e autoriteteve serbe se ishte vëllai i kryeministrit Rama, i cili paskësh qenë i përzier në provokimin me dronin. Me këtë rast, në Austri ishte dashur të ndërhynte policia për të shmangur një sherr midis emigrantësh serbë dhe shqiptarë. Ndërkaq ende nuk është e sigurtë nëse kryministri serb do të shfaqet në fushë.