Koncerti i këngëtarit nacionalist kroat në Bosnjë shoqërohet me thirrje fashiste

Foto nga koncerti. Foto: Sven Milekiq



Rreth 8,000 njerëz brohoritën përshëndetjen fashiste kroate të Luftës së Dytë Botërore «Za dom spremni» në koncertin e Thompson të enjten në mbrëmje të stadiumin e futbollit Zrinjskit në qytetin jugor boshnjak të Mostarit.

Në një qytet të ndarë gjerësisht midis kroatëve dhe boshnjakëve, koncerti u organizua në mbështetje të gjashtë gjeneralëve dhe politikanëve kroatë të Bosnjës, liderë të shtetit të panjohur të Republikës Kroate të Herceg-Bosnjës, të cilët po presin vendimin e tyre përfundimtar para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, ICTY, për krime lufte kundër boshnjakëve midis viteve 1992 dhe 1994.

Në vitin 2013, ICTY i dënoi ata me një total prek 111 vitesh burg, por tani po shqyrtohet një apel kundër dënimeve të tyre nga ana e gjykatësve të gjykatës se OKB-së.

Koncerti tërhoqi kryesisht të rinj midis moshës 15 dhe 25 vjeç nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Kroacia fqinje.

Prezantuesi i koncertit tha se ai po mbahej në mbështetje të kroatëve të pafajshëm që po mbahen në burg «dhe të gjithë anëtarët të pafajshëm të burgosur të HVO-së» – Këshilli Kroat i Mbrojtjes, forcat e armatosura të Herceg-Bosnjës.

Gjashtë karrige bosh me emrat e gjashtë zyrtarëve të Herceg-Bosnjës –  Jadranko Përliq, Bruno Stojiq, Slobodan Praljak, Milivoje Petkoviq, Valentin Çoriq dhe Berislav Pushiq – u vendosën përpara skenës.

Koncerti u hap nga një vajzë që këndoi himnin kombëtar të Kroacisë, ndërsa disa grupe të ndryshme muzikore dhe këngëtarë luajtën këngë popullore dhe patriotike, disa prej të cilëve i këndoheshin Herceg-Bosnjës.

Ylli më i madh i koncertit ishte këngëtari nacionalist kroat Thompson, i cili mbylli koncertin.

Pavarësisht se nuk këndoi një nga këngët e tij më polemike, këngën «Cavoglave», e cila përdor përshëndetjen ustashe «Za dom spremni», turma e njerëzve filloi ta brohoriste atë në disa raste.

«Me këtë koncert, ne po i japim zë bukurisë dhe dashurisë. Duam që ky koncert të inkurajojë të burgosurit tanë, të inkurajojë mbrojtësit tanë (veteranët e luftës së viteve 1990) dhe miqtë tuaj të dashur, njerëzit tanë që jetojnë në Hercegovinë, Kroaci, Bosnjë… Ky është mesazhi i këtij koncerti – dashuria», brohoriti Thompson, që më pas të duartrokitej nga turma.

«Uroj që mbrojtësit tanë kroatë që janë gjykuar padrejtësisht ta ndiejnë forcën e dashurisë së kësaj mbrëmjeje», shtoi ai.

Thompson dhe performues të tjerë e mbyllën koncertin me këngën patriotike dhe të njohur të këngëtarit kroat «Lijepa si li» (Ti je e bukur), e cila lavdëron Herceg-Bosnjën.

Organizatorët e koncertit – Asambleja Kombëtare Kroate, e cila përfshin partitë kroate të Bosnjës dhe Shoqatën e Zemrës Kroate të Shpresës, një OJQ që promovon kroatët në Bosnjë – nuk e lejoi median të komunikonte me turmën në radhët e para. Media nuk u lejua gjithashtu të dilte nga vendi i rezervuar për ata para skenës.

Ndërsa disa fishekzjarrë u ndezën në koncert, policia e qarkut raportoi se në koncert nuk pati incidente – pa përmendur brohoritjet «Za dom spremni». Disa pjesëmarrës në koncert kishin veshur bluza të Këshillit Kroat të Mbrojtjes të viteve 1990, HOS, me «Za dom spremni» të shkruar në stemën e tyre të armëve – një logo e njohur zyrtarisht nga shteti kroat.

Disa OJQ dhe parti politike boshnjake kishin kërkuar që koncerti i Thompson të ndalohej – pasi koncertet e tij janë ndaluar në të gjithë Europën – për shkak të lidhjeve të tij me regjimin ustash dhe se lavdëron Herceg-Bosnjën, por kjo u refuzua nga autoritetet e Mostarit.

Në vitin 2009, performanca e Thompsonit e këngës që lavdëron ustashët «Jasenovac dhe Gradishka Stara» – emrat e kampeve të përqendrimit të ustashëve – shkaktoi zemërim në Kroaci dhe në të gjithë rajonin.

Në 2015, rreth 80,000 panë Thompsonin të festonte 20 vjetorin e fitores së operacionit ushtarak të Kroacisë të vitit 1995, Operacioni Stuhia, shumë prej të cilëve brohoritën «Vrit një serb» dhe «Za dom spremni».

(https://www.reporter.al/koncerti-i-kengetarit-nacionalist-kroat-ne-bosnje-shoqerohet-me-thirrje-fashiste/)