Komuna Pejës largon 25 punëtorë të sigurimit

Bordi i Drejtorëve i Komunës së Pejës as të hënën nuk ka diskutuar për fatin e punëtorëve të kompanisë së sigurimit, që u ka skaduar kontrata më një qershor.

Megjithëse pa kontratë, 30 punëtorë, prej 55 sish sa kanë qenë deri tashti, kanë vazhduar punën e tyre të sigurimit në objektet e komunës, shkruan sot «Koha Ditore». Por, prej dy javësh gati, askush nga komuna nuk u ka thënë rrini ose shkoni, e as që ua kanë bërë dert se çfarë do të ndodhë me ta.

Drejtori i Administratës dhe Personelit, Fatmir Asllani, pranon se të hënën nuk është biseduar në Bord të Drejtorëve për punën e punëtorëve të sigurimit. Ai ka treguar edhe arsyen.

«E kemi lënë që me shkue nesër në ministri që të bisedojmë për mundësinë e bartjes së punëtorëve në ndërmarrje . Këtu bëhet fjalë vetëm për 10 punëtorë të sigurimit që kanë qenë punëtorë të komunës edhe para privatizimit të shërbimit të sigurimit, derisa për 20 të tjerë nuk kemi obligime si komunë, sikurse që nuk i kemi pasur për obligim as ata 25 tjerë që nuk janë më në punë, sepse të gjithë këta 45 veta kanë qenë të angazhuar nga kompania e sigurimeve, së cilës i ka skaduar kontrata», thotë Asllani.

Ata 25 veta që tashmë nuk gjenden më në punë, kanë siguruar objektet shëndetësore dhe ato të kulturës. E këta 30 që kanë mbetur, aktualisht janë të angazhuar për sigurimin e objekteve të komunës. Për pagesën e tyre gjithashtu ende nuk është diskutuar e as që ka shkuar deri tash ndonjë kërkesë prej Drejtorisë së Administratës në adresë të Drejtorisë së Financave.

«Drejtori i Administratës duhet të nisë procedurën që të kërkohet ndonjë pagesë për ata. Disi duhet me ba një zgjidhje», thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj. Ata 10 punëtorë të sigurimit që do të mbesin në punë, komuna planifikon me i bartë në ndërmarrjen e mbeturinave «Ambienti», njësoj sikur që ka vepruar muajin e kaluar edhe me 110 pastrues shkollash, pasi atë shërbim të privatizuar vite më parë, e kishte ndërprerë vjeshtën e kaluar dhe pastrimin e kishte kthyer serish në shërbim të vetin. Drejtori i «Ambientit», Nexhat Avdullahu, nuk e ka problem ngarkesën edhe të këtyre punëtorëve të sigurimit, përderisa komuna siguron mjetet për pagat e tyre.

«Nuk e kam problem me i menaxhua ata punëtorë, që kalojnë në ndërmarrjen tonë. Vetëm paret le t’i japë komuna për pagat e tyre se unë i menaxhoj edhe një mijë punëtorë të tjerë, se unë veç e kam punuar planin e menaxhimit me ta», thotë Avdullahu. Pas përfundimit të kontratës me kompaninë e sigurimit, Komuna e Pejës ka vendosur që objektet e saj të mos ruhen më nga kompanitë private. Ky shërbim i privatizuar para 4 vjetësh, do të kthehet serish në përgjegjësi të komunës.