Komuna nuk ua paguan nxënësve transportin, acarohen prindërit

Janë tensionuar raportet mes banorëve të fshatit kufitar me Maqedoninë Debëlldeh dhe Komunës së Vitisë, e cila nuk po paguan transportin për nxënësit që e kanë shkollën larg 26 kilometra. Komuna thotë se me ligj paguhet vetëm transporti i filloristëve.




24 nxënës të fshatit Debëlldeh, të cilët gravitojnë në shkollat e mesme në Viti, rrezikojnë të mbesin jashtë bankave shkollore, ngase komuna e Vitisë ua ka ndërprerë transportin, raporton KTV.

Nxënësit thonë se për të shkuar në shkollë duhet të ecin 26 kilometra.

Prindërit e nxënësve ankohen se nuk kanë mjete financiare për pagesë të transportit, ngase ata jetojnë në varfëri të skajshme dhe se fshati nuk ka asnjë të punësuar.

Ndërsa gjakrat nxehen kur ata takohen me transportuesin e nxënësve, të cilin e akuzojnë se ka bërë dallavere, së bashku me autoritet komunale, ngase vitin e kaluar transporti u siguria e sivjet jo.

Banorët akuzojnë kreun e komunës së Vitisë, Sokol Halitin, se është duke bërë qërim hesapesh politike, pasi që ata nuk e kanë përkrahur kandidaturën e tij gjatë zgjedhjeve komunale.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se është duke respektuar vetëm atë çfarë thotë ligji.

Sokol Haliti, kryetar i Vitisë thotë se nuk u lejohet transporti i nxënësve të shkollave të mesme.

Debëlldeh është fshat pranë kufirit me Maqedoninë dhe nëse komuna nuk ua siguron transportin, nxënësit rrezikojnë të mbesin të ngujuar, sidomos gjatë dimrit.