Komuna nis riparimin e çatisë së objektit të kulturës në Gjonaj

Punimet për riparimin e kulmit të dëmtuar në Qendrën Kulturore në fshatin Gjonaj kanë nisur në saje të mjeteve të alokuara nga qeveria lokale e Prizrenit.




Procedurat për këtë projekt janë përshpejtuar meqë konstruksioni i kulmit të kësaj qendre qe dëmtuar pak javë më parë, si pasojë e erërave të forta, shkruan sot Koha Ditore.

«Punimet janë duke u zhvilluar në riparimin e kulmit, që ishte dëmtuar në masë të konsiderueshme nga erërat e forta. Kemi kërkuar intervenimin e shpejtë nga Komuna e Prizrenit, në mënyrë që të evitohet ky problem, ngase rrezikohej edhe inventari brenda», ka thënë Haziz Hodaj, përfaqësues i fshatit Gjonaj, njëherësh këshilltar i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Pos pjesës së jashtme edhe tavani i këtij objekti ka pasur dëmtime, gjë që është vërejtur nga vetë zyrtarët e Qeverisë lokale gjatë debatit me qytetarët e Hasit, për buxhetin e vitit të ardhshëm.