Komuna kërkon ndërprerjen e ndërhyrjeve në Qendrën e Kompetencës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, të hënën ka kërkuar ndërprerjen e ndërhyrjeve politike në Qendrën e Kompetencës, kthimin e buxhetit për shkollimin e mesëm, sikurse edhe futjen në listën e pagesave për 19 mësimdhënës, të cilët, sipas tij, kanë mbetur pa paga.




Ai ka akuzuar Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr) për ndërhyrje arbitrare në Qendrën e Kompetencës në Malishevë dhe MASHT-in për mosveprim adekuat në këtë drejtim, shkruan sot «Koha Ditore».

«Duke e parë që gjërat nuk po shkojnë si duhet, duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, ne jemi tërhequr nga marrëveshja e nënshkruar për Qendrën e Kompetencës. Agjencia krye më vete ka shpallur një konkurs për pranimin e kuadrit mësimor, edhe pse nga ana e Drejtorisë së Qendrës së Kompetencës nuk është kërkuar një gjë e tillë, përderisa nga ana tjetër kemi pasur një udhëzim administrativ për vazhdimin e kontratave për mësimdhënësit aktualë dhe si rezultat, është formuar një grup punues për këtë çështje. Mirëpo përfaqësuesit e Ministrisë dhe të Agjencisë nuk na kanë përfillur, jo vetëm neve, por as udhëzimet e ministrit të Arsimit, dhe kanë marrë vendime politike, e deri në kërcënim, për çka edhe janë njoftuar të gjitha organet, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, Qeverinë, Ministrinë dhe organet e rendit», ka thënë Begaj.