Komuna i premton buxhet Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit

Autoritetet komunale të Prizrenit janë zotuar publikisht se prej vitit të ardhshëm do të ofrojnë përkrahje financiare për funksionimin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.




Sipas tyre, propozim-buxheti për vitin e ardhshëm, i cili pritet që gjatë kësaj jave të shqyrtohet në Kuvendin Komunal, parasheh ndarjen e mjeteve për këtë organ këshillëdhënës, në mënyrë që Këshilli të ushtrojë ndikimin në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit. Kësisoj i bie që ky organ të mbështetet financiarisht tre vjet pas themelimit.

«Pushteti lokal do të ndajë një buxhet për fuqizimin e KTK-së. Në këtë drejtim presim edhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, OSBE-në dhe me partnerët e tjerë. Jemi të interesuar për një trajtim të veçantë të këtij trupi këshillëdhënës, në mënyrë që të luajë rolin e vet që ia përshkruan ligji dhe të ndikojë në ruajtjen e Qendrës Historike të Prizrenit, që po ashtu paraqet një aset të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në saje të turizmit», ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Kujtim Gashi. Kjo do të bëhet krahas rritjes së buxhetit për zhvillimin ekonomik.

KTK-ja deri më tani është përballur me mjaft vështirësi në funksionimin e tij. Madje muajin e kaluar edhe kryesuesi i këtij Këshilli, Vesel Hoxhaj, ka dhënë dorëheqjen. Pos tjerash, si arsye kishte përmendur edhe mungesën e buxhetit për veprimtari të Këshillit në dy vitet e kaluara.