Komuna i kërkon Zyrës rajonale të Avokatit të Popullit t`ia lirojë zyrat

Komuna e Gjilanit i ka dërguar një shkresë Zyrës rajonale të Avokatit të Popullit në Gjilan për lirimin e zyrës, e cila gjendet në objektin e Komunës.




Sipas autoriteteve komunale, zyrtarët e Komunës nuk po kanë hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Ata kanë kërkuar nga zyra e Avokatit të Popullit në Gjilan që të bëjë zgjidhjen vetë sa i përket gjetjes së një hapësire të re, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë mënyrë Komuna ka ra ndesh me Ligjin mbi Avokatin e Popullit të Kosovës, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, me të cilin është saktësuar se institucionit të avokatit i sigurohen objekte të duhura për punë dhe pajisje të tjera, në mënyrë që t’i mundësohet kryerja efektive e funksioneve dhe përgjegjësive të tij. Nazim Gagica, drejtor i administratës komunale të Gjilanit, ka thënë se kanë kërkuar nga personeli i IAP-it ta lirojnë zyrën.